Studimi: Konsumi i lartë i mishit të kuq lidhet me rrezik më të madh për kancer të pankreasit
Një analizë e re shkencore sugjeron se konsumimi i rregullt i sasive të mëdha të mishit të kuq mund të lidhet me një rrezik më të lartë për zhvillimin e kancerit të pankreasit.
Studimi, i publikuar në revistën Frontiers in Nutrition, analizoi të dhëna nga 16 studime të ndryshme që përfshinë afro dy milionë pjesëmarrës. Qëllimi ishte të vlerësohej nëse ekziston një lidhje midis konsumit të mishit të kuq, mishit të përpunuar dhe shfaqjes së mëvonshme të kancerit të pankreasit.
Rezultatet treguan se personat që konsumonin më shumë mish të kuq kishin një rrezik relativ 16% më të lartë për t’u diagnostikuar me kancer të pankreasit krahasuar me ata që konsumonin më pak.
Studiuesit vunë re gjithashtu një lidhje lineare: sa më i madh të ishte konsumi i mishit të kuq, aq më shumë rritej rreziku. Sipas analizës, çdo 100 gramë shtesë mish të kuq në ditë shoqërohej me një rritje prej 10% të rrezikut relativ për këtë lloj kanceri.
Ndërkohë, rezultatet ishin të ndryshme për mishin e përpunuar. Analiza e 11 studimeve nuk gjeti një lidhje statistikisht domethënëse midis konsumit të produkteve si sallamet, salsiçet dhe mishrat e tjerë të përpunuar me rrezikun e kancerit të pankreasit.
Ky studim mbështet edhe gjetje të mëparshme. Një meta-analizë e publikuar më herët gjatë këtij viti, e bazuar në të dhënat e më shumë se 1.8 milionë personave, tregoi se vegjetarianët kanë rreth 21% rrezik më të ulët për t’u prekur nga kanceri i pankreasit në krahasim me ata që konsumojnë mish.
Megjithatë, autorët theksojnë se rezultatet duhet të interpretohen me kujdes. Shumica e studimeve janë vëzhguese dhe bazohen në pyetësorë mbi zakonet ushqimore, çka do të thotë se ato tregojnë një lidhje statistikore, por nuk provojnë se mishi i kuq është shkaku i drejtpërdrejtë i kancerit të pankreasit.
Flaka
















