Studimi: Konsumimi i vezëve mund të lidhet me rrezik më të ulët për Alzheimer
Vezët, një nga ushqimet më të zakonshme në tryezat e mëngjesit në mbarë botën, po marrin vëmendje të re nga komuniteti shkencor për ndikimin e mundshëm në shëndetin e trurit.
Një studim i ri i realizuar nga studiues të Universiteti Loma Linda sugjeron se konsumimi i rregullt i vezëve mund të lidhet me një rrezik më të ulët për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit, forma më e zakonshme e demencës.
Sipas rezultateve, të moshuarit që konsumonin vezë pesë ose më shumë herë në javë kishin deri në 27% më pak gjasa të preken nga Alzheimer gjatë një periudhe ndjekjeje 15-vjeçare, krahasuar me ata që i konsumonin rrallë ose aspak.
Ata që konsumonin vezë dy deri në katër herë në javë kishin rreth 20% rrezik më të ulët, ndërsa edhe konsumi më i moderuar u lidh me një ulje prej rreth 17%.
Studimi, i cili përfshiu afro 40 mijë të rritur si pjesë e “Adventist Health Study-2”, u publikua në revistën The Journal of Nutrition dhe regjistroi 2,858 raste të diagnostikuara me Alzheimer gjatë periudhës së hulumtimit.
Studiuesit theksojnë se vezët përmbajnë lëndë ushqyese të rëndësishme për trurin, si kolina, vitamina B12, vitamina D, omega-3 dhe minerale të ndryshme që lidhen me kujtesën dhe funksionin nervor.
Megjithatë, ekspertët nënvizojnë se studimi nuk provon një lidhje shkak-pasojë, por vetëm një asociacion mes konsumimit të vezëve dhe rrezikut më të ulët për sëmundjen.
Ata shtojnë se mënyra e përgjithshme e ushqyerjes dhe stili i jetesës mund të kenë ndikim të rëndësishëm në rezultatet përfundimtare.
Flaka
















