Studimi: Personat që zgjohen herët janë më produktivë, më të lumtur dhe fitojnë më shumë
Një studim i realizuar nga kompania Amerisleep ka zbuluar se personat që zgjohen herët në mëngjes kanë më shumë produktivitet, të ardhura më të larta dhe një cilësi më të mirë jetese krahasuar me ata që preferojnë të flenë deri vonë.
Në anketim morën pjesë mbi 1,000 persona, ku 510 prej tyre zgjoheshin herët – kryesisht mes orës 04:00 dhe 07:00 – ndërsa 506 të tjerë zgjoheshin më vonë, zakonisht mes orës 08:00 dhe 12:00.
Rezultatet treguan se personat që zgjohen shumë herët, sidomos në ora 04:00, ndihen produktivë në 71 për qind të kohës. Në anën tjetër, ata që zgjohen rreth orës 11:00 raportojnë produktivitet vetëm në 36 për qind të kohës.
Studimi zbuloi gjithashtu dallime të mëdha edhe në të ardhura. Personat që zgjohen herët fitojnë mesatarisht rreth 45 mijë dollarë në vit, ndërsa ata që zgjohen vonë kanë të ardhura mesatare prej rreth 30 mijë dollarësh.
Sipas të dhënave, më së shumti fitojnë personat që zgjohen në ora 04:00 ose 05:00, me afro 49 mijë dollarë të ardhura vjetore. Ndërkohë, personat që zgjohen shumë vonë rezultojnë me të ardhurat më të ulëta.
Përveç aspektit financiar dhe produktivitetit, studimi thekson se zgjimi herët lidhet edhe me nivele më të larta të lumturisë dhe një stil jetese më të shëndetshëm.
Flaka
















