Ter Stegen drejt largimit nga Barcelona, Ajaxi ëndërron transferimin e tij
E ardhmja e Marc-André ter Stegen te Barcelona duket gjithnjë e më larg “Camp Nou”, teksa të gjitha palët e përfshira presin që portieri gjerman të largohet gjatë kësaj vere.
Sipas raportimeve të Fabrizio Romano, drejtuesit e Barcelonës i kanë bërë të qartë Ter Stegenit që prej muajit janar se zgjidhja më e mirë për të dyja palët do të ishte ndarja e rrugëve. Klubi katalanas beson se portieri duhet të gjejë një skuadër ku mund të luajë rregullisht dhe të vazhdojë karrierën si titullar.
Në këtë situatë, Ajax është shfaqur si një nga klubet më të interesuara për shërbimet e gardianit gjerman. Klubi holandez e sheh Ter Stegenin si një përforcim ideal dhe dëshiron ta transferojë atë gjatë merkatos së verës.
Megjithatë, pengesa kryesore mbetet aspekti financiar. Paga e lartë e portierit përbën një sfidë të madhe për Ajaxin, ndaj nevojitet një marrëveshje mes Barcelonës, klubit holandez dhe përfaqësuesve të lojtarit për të bërë të mundur transferimin.
Interesimi i Ajaxit konsiderohet serioz dhe i sinqertë, por mbetet për t’u parë nëse palët do të arrijnë të gjejnë formulën e duhur financiare për të finalizuar operacionin në javët e ardhshme.
Flaka












