Ushqimet që ndihmojnë trupin të pastrohet nga nikotina – ja cilat rekomandohen
Ndërsa konsumimi i duhanit konsiderohet një nga zakonet më të dëmshme për shëndetin, ekspertët theksojnë se edhe pas lënies së tij, trupi ka nevojë për kohë për t’u pastruar nga nikotina dhe toksinat e akumuluara.
Sipas specialistëve të ushqyerjes, disa ushqime të pasura me vitamina dhe antioksidantë mund të ndihmojnë në përshpejtimin e procesit natyral të detoksifikimit të organizmit.
Perimet si brokoli, lulelakra, lakra jeshile, spinaqi dhe panxhari janë ndër më të rekomanduarat, pasi përmbajnë vitamina C, B5, acid folik dhe antioksidantë që mbështesin funksionimin e mëlçisë dhe sistemit imunitar.
Brokoli dhe perimet e tjera të familjes së lakrave ndihmojnë në rikthimin e niveleve të vitaminës C në trup, e cila shpesh ulet nga konsumimi i duhanit. Kjo vitaminë luan rol të rëndësishëm në formimin e kolagjenit dhe rigjenerimin e indeve.
Po ashtu, lëngu i portokallit rekomandohet për shkak të përmbajtjes së lartë të vitaminës C, duke ndihmuar metabolizmin dhe reduktimin e stresit oksidativ në organizëm.
Lëngu i karotës, i pasur me vitamina A, C, K dhe B, ndihmon në përmirësimin e shëndetit të lëkurës dhe ngadalësimin e proceseve të plakjes së shkaktuara nga nikotina.
Ndërkohë, spinaqi konsiderohet një nga perimet më të shëndetshme, pasi ndihmon në mbrojtjen e pankreasit dhe rregullimin e tensionit të gjakut falë përmbajtjes së lartë të acidit folik dhe kaliumit.
Kivi gjithashtu kontribuon në normalizimin e niveleve të vitaminave A, C dhe E, si dhe ndihmon në pastrimin e mëlçisë dhe reduktimin e akumulimit të substancave të dëmshme në trup.
Flaka










