Ushqimet që nuk duhet t’i mbani në frigorifer
Shumë njerëz kanë zakon të ruajnë pothuajse çdo ushqim në frigorifer për ta mbajtur sa më të freskët, por ekspertët paralajmërojnë se disa produkte humbasin cilësinë dhe shijen pikërisht nga temperaturat e ulëta.
Sipas specialistëve të ushqimit, disa ushqime duhen mbajtur në temperaturë ambienti për të ruajtur aromën, strukturën dhe vetitë e tyre natyrale.
Një ndër produktet që nuk rekomandohet të futet në frigorifer janë domatet. Temperaturat e ftohta ndikojnë në strukturën e tyre, duke i bërë më të buta dhe duke u zbehur aromën karakteristike.
Edhe patatet nuk duhet të ruhen në frigorifer, pasi i ftohti e shndërron niseshtenë në sheqer, gjë që ndryshon shijen dhe strukturën e tyre gjatë gatimit.
Ekspertët këshillojnë që qepët dhe hudhrat të mbahen në vende të thata dhe të ajrosura, sepse lagështia e frigoriferit i zbut dhe mund të shkaktojë myk ose humbje të aromës.
Ndërkohë, buka thahet më shpejt në frigorifer dhe bëhet e fortë. Për këtë arsye rekomandohet të ruhet në temperaturë ambienti ose në ngrirje nëse do të konsumohet më vonë.
Një tjetër produkt që nuk ka nevojë për frigorifer është mjalti. Ai ruhet natyrshëm për një kohë të gjatë dhe temperaturat e ulëta mund ta kristalizojnë, duke e bërë më të vështirë për përdorim.
Specialistët theksojnë se mënyra e ruajtjes së ushqimeve ndikon drejtpërdrejt në cilësinë dhe shijen e tyre, ndaj jo çdo produkt duhet futur automatikisht në frigorifer.
Flaka
















