Vaji i makinave ndot ujërat dhe tokën

Flaka
Botuar nga Flaka 15 Maj, 2024 20:06

Vaji i makinave ndot ujërat dhe tokën

Ndërrimi i vajit të makinave nga ana e serviseve të ndryshme në Dibër, shkakton shqetësime të mëdha sa i takon mjedisit jetësor. Sipas ekologut të njohur dibran Shuip Marku, serviset e automjeteve përveç djegies së gomave të vjetra, tani shkaktojnë probleme në mjedisin jetësor edhe në derdhjen të vajit të makinave nëpër kanalizimet e ndryshme por edhe në sipërfaqen e tokës

Përveç deponive të egra, një ndër ndotësit kryesorë të mjedisit jetësor në Dibër dhe rajon është edhe vaji i makinave. Ky vaj hedhet në disa pjesë të periferisë të qytetit të Dibrës, por edhe në disa vendbanime rurale dhe shkakton ndotje të mëdha. Është një problem ekologjik i cili duhet të parandalohet, deri sa nuk është vonë. Ekologët potencojnë se problemet kryesore me këtë ndotje janë prezent në disa pjesë të periferisë të qytetit të Dibrës por edhe në disa fshatra për rreth lumit Radikë.

Ndërrimi i vajit të makinave nga ana e serviseve të ndryshme në Dibër, shkakton shqetësime të mëdha sa i takon mjedisit jetësor. Sipas ekologut të njohur dibran Shuip Marku, serviset e automjeteve përveç djegies së gomave të vjetra, tani shkaktojnë probleme në mjedisin jetësor edhe në derdhjen të vajit të makinave nëpër kanalizimet e ndryshme por edhe në sipërfaqen e tokës. “Është një problem akut i cili përveç deponive të egra, djegies së gomave, djegies së deponisë të qytetit, tani edhe me derdhjen e vajit të makinave, shkaktohet një dëm i madh ekologjik. Problemi është debatuar nga disa shoqata qytetare të cilët kanë kërkuar masa urgjente të inspektorëve që të parandalojnë këtë ndotje. Me të drejtë kërkohet një intervenim i shpejtë për të parandaluar ndotjet”,, thotë për gazetën KOHA, Shuip Marku. Kjo dukuri dënohet edhe nga dibranët në përgjithësi. Përveç ndotjes që ndodh në disa pjesë të periferisë të qytetit ku tokat janë pjellore dhe disa nga vajrat përfundojnë në ujërat të cilat pastaj derdhen në liqenin e Dibrës, probleme te shumta në këtë drejtim ka edhe në disa vendbanime rurale gjatë rrjedhës së Lumit Radikë.

Në afërsi të fshatit Kosovrast i Poshtëm ka servise automjetesh të cilët poashtu vajin e makinave e derdhin në afërsi të lumit e pastaj ky vaj përfundon në lumin Radikë dhe gjatë rrjedhës edhe në ujërat e Liqenit të Dibrës. Por, sipas ekologëve dibran, probleme të ngjashme ka edhe në disa fshatra të tjerë buzë lumit Radikë, por edhe në pjesët e komunës rurale Qendër Zhupë ku ndotjet përfundojnë në përroskat e kësaj komune dhe pastaj dhe në liqenin e Dibrës. Kur jemi tek ndotjet nga vajrat të automjeteve, deri tani ndotja më e madhe ka ndodhur para dy viteve kur vajrat nga fabrika “Knauf” përfunduan në ujërat e liqenit të Dibrës. Atëherë shoqatat qytetare e sidomos ajo e peshkatarëve sportiv “Trofta”, ashpër reagoi meqë ndotja ishte e madhe dhe nga vajrat që përfunduan në ujërat e Liqenit të Dibrës pësoi edhe flora edhe fauna.

Problemi i ndotjeve të mjedisit jetësor drejtpërdrejt i shkakton probleme të mëdha zhvillimit të turizmit, bujqësi dhe në disa sfera të tjera komunës Dibër. Shoqatat qytetare reagojnë ndaj këtij problemi, por deri tani nuk është regjistruar ndonjë aktivitete me pasoja penale kundër atyre që ndotin mjedisin jetësor. Toka në Dibër është pjellore por ajo ndotet nga deponia e qytetit e cila është një deponi e egër. Por ndotjet e ujërave poаshtu shkaktojnë probleme të mëdha në kualitetin e ujit, gjë që pengon zhvillimin e turizmit, edhe pse turizmi është një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të këtij rajoni. (koha.mk)

Flaka
Botuar nga Flaka 15 Maj, 2024 20:06
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media