VLEN: Po sjellim investitorë strategjikë nga Arabia Saudite për Kodrën e Diellit dhe agrobiznesin
Në kuadër të pjesëmarrjes së suksesshme në Forumin Ekonomik të Biznesit, një ndër ngjarjet më të rëndësishme rajonale të këtij viti, ministri i Ekonomisë dhe përfaqësuesi i VLEN, Besar Durmishi, zhvilloi një takim bilateral me Zëvendësguvernatorin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Autoritetin e Përgjithshëm për Tregtinë e Jashtme (GAFT) të Arabisë Saudite, Shkëlqesinë e Tij Abdulaziz Alsakran, njofton Flaka
Ky takim u vlerësua si një nga momentet më të rëndësishme të forumit, duke hapur horizonte të reja bashkëpunimi ekonomik dhe duke konfirmuar rolin aktiv të Maqedonisë së Veriut në ndërtimin e partneriteteve strategjike me ekonomitë më të fuqishme globale.
Gjatë takimit, palët konfirmuan interesin e ndërsjellë për zgjerimin e shkëmbimit tregtar, që aktualisht arrin në 44 milionë dollarë, me qëllim tejkalimin e këtij niveli përmes projekteve konkrete dhe bashkëpunimeve të reja. Ndër çështjet kyçe të diskutuara ishin: organizimi i forumeve të përbashkëta të biznesit, vizitat e ndërsjella të delegacioneve ekonomike, si dhe nxitja e investimeve saudite në sektorë strategjikë si agrokultura, turizmi dhe infrastruktura e qëndrueshme.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mbështetjes për zhvillimin e Qendrës së Skijimit “Kodra e Diellit” në Tetovë, si projekt kyç për turizmin malor dhe zhvillimin ekonomik të rajonit të Pollogut. Gjithashtu, u diskutua inkurajimi i certifikimit Hallall të produkteve vendore, në funksion të rritjes së eksporteve dhe diversifikimit të tregjeve.
“Ekonomia e Maqedonisë së Veriut ka potencial të konsiderueshëm, dhe me partnerë strategjikë si Arabia Saudite, ky potencial mund të shndërrohet në projekte konkrete që sjellin zhvillim, vende pune dhe mirëqenie për qytetarët,” deklaroi ministri Durmishi.
VLEN mbetet i përkushtuar për ndërtimin e urave të qëndrueshme të bashkëpunimit ndërkombëtar, me synimin për të sjellë investime cilësore dhe për të siguruar zhvillim të barabartë në të gjitha rajonet e vendit, thonë nga VLEN. Flaka