VLEN publikon rezultatet: Shkolla, spitale, ligje – jo premtime, por vepra
Koalicioni VLEN ka reaguar pas seancës së fundit të Qeverisë, duke theksuar se gjatë vetëm një dite pune janë miratuar një sërë vendimesh me përfitim konkret për qytetarët shqiptarë, të cilat, sipas tyre, e tejkalojnë punën e një mandati të plotë të qeverive të drejtuara nga BDI, njofton Flaka
“Brenda një dite të vetme, dje, Qeveria në të cilën VLEN është partner i barabartë solli më shumë vendime me rëndësi dhe përfitim real për shqiptarët në vend, sesa ka arritur të sjellë çfarëdo qeverie e drejtuar nga partia e listave të zeza (BDI) gjatë një mandati të plotë.” – thuhet në kumtesën e VLEN.
Sipas këtij koalicioni, vendimet e marra janë dëshmi konkrete që përfaqësimi i drejtë prodhon rezultate reale, dhe se premtimet po kthehen në vepra.
“Këto rezultate janë dëshmi e qartë se kur shqiptarët janë realisht të përfaqësuar në tryezën e vendimmarrjes, premtimet shndërrohen në vepra, ndërsa deklaratat në përmirësime të prekshme në jetën e përditshme.”
Vendimet e miratuara në seancën e fundit qeveritare:
- Ligji për shkollat e mesme të bashkësive fetare
– Medreseja “Isa Beu” në Shkup fiton për herë të parë status të qartë juridik, një kërkesë e kahershme që, sipas VLEN, BDI e kishte premtuar për vite, por kurrë nuk e realizoi. - Ligji i ri për lojërat e fatit
– Kazino dhe bastoret do të dislokohen larg shkollave dhe të rinjve. Ligji, sipas VLEN, mbron jetën e të rinjve dhe buxhetet e familjeve nga varësia, ndërsa BDI për më shumë se një dekadë ka heshtur për këtë problem. - 205 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore
– Përfshin rikonstruktimin e plotë të Spitalit Klinik të Tetovës dhe ndërtimin e një spitali të ri në Kërçovë, investime që sigurojnë trajtim të dinjitetshëm atje ku jeton shumica shqiptare. - 110.5 milionë denarë për ujësjellësin në Luboten dhe Lubancë (Butel)
– Zgjidhet përfundimisht çështja e furnizimit me ujë të pastër për zona të banuara me shumë familje shqiptare, duke i dhënë fund premtimeve boshe. - Rikonstruktimi i terreneve sportive në të gjitha vendbanimet
– Sipas VLEN, po krijohen kushte të reja për të rinjtë me synim që të zgjedhin sportin në vend të veseve, një fushë e lënë pas dore për dekada.
“Ne jemi në Qeveri për të sjellë rezultate konkrete për qytetarët tanë.”
“VLEN premtoi punë, solli rezultate. Brenda një dite, arritëm më shumë sesa BDI për një mandat të tërë.”
Koalicioni thekson se do të vazhdojë me të njëjtin ritëm, duke sjellë ndryshime reale dhe të dukshme për çdo familje, në çdo vendbanim.
















