Xhenxhefili, aleati natyral i shëndetit: Përfitimet që i sjell organizmit
Xhenxhefili, një bimë me origjinë nga Kina dhe një përbërës i njohur në kuzhinat aziatike, vlerësohet jo vetëm për shijen karakteristike, por edhe për vetitë e tij të shumta shëndetësore. Prej vitesh ai përdoret në mjekësinë tradicionale dhe studime të ndryshme kanë treguar se përmban përbërës me veprim antioksidues dhe anti-inflamator.
Ekspertët theksojnë se xhenxhefili mund të ndihmojë në lehtësimin e inflamacionit, përmirësimin e tretjes, stimulimin e qarkullimit të gjakut dhe forcimin e sistemit imunitar. Kompresat me xhenxhefil përdoren gjithashtu për relaksimin e muskujve dhe zbutjen e dhimbjeve të shpinës.
Një nga përfitimet më të njohura të kësaj bime lidhet me sistemin tretës. Xhenxhefili ndihmon në përshpejtimin e tretjes së ushqimit dhe mund të zvogëlojë ndjesinë e fryrjes apo të parehatisë pas vakteve. Disa studime sugjerojnë gjithashtu se ai mund të ndikojë pozitivisht në metabolizëm dhe të ndihmojë në kontrollin e peshës, kur kombinohet me një regjim të shëndetshëm ushqimor dhe aktivitet fizik.
Përveç kësaj, përbërësit aktivë të xhenxhefilit mund të kontribuojnë në uljen e inflamacionit, përmirësimin e niveleve të kolesterolit dhe mbështetjen e shëndetit kardiovaskular. Vetitë e tij antioksiduese ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimet e shkaktuara nga radikalet e lira.
Si mund të konsumohet?
Xhenxhefili mund të përdoret në forma të ndryshme:
- Si çaj.
- Si erëz në gatime.
- I freskët në lëngje ose smoothie.
- I shtuar në supa, sallata dhe receta të tjera.
Pavarësisht mënyrës së konsumimit, specialistët rekomandojnë përdorimin e tij me masë. Personat që marrin medikamente për hollimin e gjakut ose kanë sëmundje kronike duhet të konsultohen me mjekun përpara se ta konsumojnë rregullisht.
Flaka
















