Zjarr në lagjen “Skupi” në Karposh – dyshohet se janë përfshirë katër shtëpi
Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) ka informuar për një zjarr të përmasave të mëdha që ka shpërthyer në një shtëpi në lagjen “Skupi” në komunën e Karposhit në Shkup, transmeton TV21.
Sipas njoftimit zyrtar, zjarri është raportuar në orën 20:02 përmes linjës emergjente E-112, ndërsa menjëherë janë ndërmarrë masa për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike dhe ujë në zonën përreth, për të mundësuar ndërhyrjen e ekipeve të zjarrfikësve.
“Në orën 20:02 përmes E-112 është pranuar një raport për zjarr në një shtëpi në rrugën ‘Skupi’ (komuna Karposh). Nga ana e MPB-së, përmes QOK-it të QMK-së, është kërkuar të ndërpritet furnizimi me energji elektrike në rrjetin e tensionit të ulët, në mënyrë që ekipet e zjarrfikësve të mund të ndërhyjnë,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se zjarri mund të ketë përfshirë edhe tri shtëpi të tjera në afërsi, por këto informacione nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
“Kemi informacione jozyrtare se nga zjarri janë përfshirë edhe tri shtëpi shtesë. Njësia e zjarrfikësve është në vendngjarje dhe po punon për shuarjen e zjarrit,” bën të ditur QMK.
Për momentin nuk raportohet për viktima ose persona të lënduar, ndërsa autoritetet vazhdojnë të jenë në terren dhe situata është në ndjekje të vazhdueshme.
















