VLEN kërkon drejtësi dhe transparencë në shkarkimin e kryeprokurorit

Flaka
Botuar nga Flaka 18 Shkurt, 2025 18:14

VLEN kërkon drejtësi dhe transparencë në shkarkimin e kryeprokurorit

Koalicioni VLEN gjithmonë do të jetë zëri i popullit për reforma dhe drejtësi në këtë shtet! Nisma për shkarkimin e Kryeprokurorit Lupço Kocevski është plotësisht legjitime dhe e domosdoshme për rikthimin e besimit në drejtësi! Siç është theksuar edhe më herët nga përfaqësuesit e koalicionit VLEN, ky vendim është i bazuar në tri faktorë kryesorë:

1. Përputhshmëria me frymën e faktorit ndërkombëtar dhe partnerëve strategjikë, të cilët kërkojnë ndërhyrje aty ku ka shkelje të qarta ligjore dhe mungesë transparence.

2. Kriza e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor, e cila ka arritur në nivelin më të ulët që nga vitet ’90 dhe e bën të domosdoshme një reformë të thellë dhe të menjëhershme.

3. Shkeljet e njëpasnjëshme ligjore nga ana e kryeprokurorit aktual, të cilat kanë krijuar një situatë të papranueshme dhe e kanë bërë të pashmangshme kërkesën për shkarkimin e tij.

Gjatë kohës së mandatit të Lupço Kocevskit dhe prokurorit publik Islam Abazi, u liruan edhe të dënuarit për ngjarjet e 27 prillit, duke dëmtuar më tej besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Koalicioni VLEN mbetet i përkushtuar për të siguruar që emërimi i kryeprokurorit të ri të bazohet në kritere të qarta profesionale dhe të jetë një figurë e pakomprometuar, që do të kontribuojë në forcimin e drejtësisë dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore.

Ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër këtë proces dhe të sigurojmë që ai të zhvillohet në përputhje me interesat e qytetarëve dhe parimet e një shteti të së drejtës.

Flaka
Botuar nga Flaka 18 Shkurt, 2025 18:14
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media