Mexhiti: Taravari nuk e ruajti unitetin, Uzeiri: Do të matemi me qytetarët, jo me klikën e radhës!
Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë, Izet Mexhiti, në emisionin “Top Tema” në TV Telma kritikoi BDI-në për përpjekjet e saj për të grumbulluar sa më shumë parti rreth vetes në prag të zgjedhjeve lokale, përfshirë edhe Arben Taravari.
“BDI-së nuk i mjaftojnë nëntë parti politike. Pas Selës, Dudushit dhe të tjerëve, tash e kërkon edhe Taravarin që të jenë konkurrentë në skenën politike e në veçanti në zgjedhje lokale,” deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se BDI, që gjithmonë ka garuar e vetme në zgjedhjet lokale, tani po kërkon përkrahje më të gjerë.
“Asnjëherë nuk ka ndodhur që BDI të shkojë si koalicion në zgjedhje lokale, çdoherë ka shkuar e vetme. Por unë me plot bindje e them se VLEN do të jetë fitues absolut në zgjedhjet lokale,” u shpreh Mexhiti.
Mexhiti komentoi zhvillimet brenda koalicionit opozitar shqiptar dhe pozicionimin e Arben Taravarit, duke aluduar në prapavija të mundshme politike për afrimin e këtij të fundit me BDI-në.
“Ka anketa dhe më vjen keq se kishte një percepcion se BDI më nuk do të kthehet edhe gjatë kohë në pozitë, madje të mos ekzistojnë nëse nuk reformohen. Por dikush po shihet se i ka pasur borgj BDI-së. Duke e ditur këtë, Taravari nuk e ruajti unitetin, por deshi të shkoj me lista të ndara që të gjej arsye të shkoj te BDI,” deklaroi Mexhiti.
Ai la të kuptohet se ndarja nuk ishte rastësore, por pjesë e një skenari për ta legjitimuar kalimin e Taravarit në anën e kundërshtarit politik.
Sekretari Organizativ i Aleancës për Shqiptarët, Gadaf Uzeiri, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale duke i rikujtuar opinionit publik se ishte pikërisht kjo parti që e bëri hapin vendimtar drejt ndryshimit politik në vend, duke e çuar BDI-në në opozitë dhe duke hapur një faqe të re për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Nën udhëheqjen e Arben Taravarit, Aleanca për Shqiptarët e solli ndryshimin që të gjithë e prisnin: BDI në opozitë,” theksoi Uzeiri.
Ai shtoi se Aleanca u përball me refuzime të njëpasnjëshme kur kërkoi marrëveshje të drejtë për komunat, lista të ndara për këshilltarë dhe matje reale politike. “Kur kërkuam drejtësi dhe barazi, na u mbyll dera. Kur kërkuam matje të ndershme, na quajtën përçarës,” shkruan ai.
Në postimin e tij, Uzeiri kritikon qasjen e partnerëve të koalicionit VLEN, të cilët sipas tij e kanë harruar zotimin për bashkim të plotë dhe janë kthyer në kundërshtarë me fushata të organizuara nga profile të rreme dhe me gjuhë fyese, e jo me ide dhe vlera.
“Ne nuk do të tërhiqemi. Do të matemi me qytetarët, jo me klikën e radhës. Ne jemi këtu për ta mbrojtur parimin, jo për ta ruajtur karrigen,” përfundon reagimin e tij Gadaf Uzeiri, duke theksuar se Aleanca për Shqiptarët mbetet e përkushtuar ndaj parimeve dhe vlerave të sinqerta.