Ahmeti e Taravari – dyshja që s’e lë të qetë Mickoskin: Tubimi kthehet në fjalim kundër tyre | VIDEO
Në një nga fjalimet më të drejtpërdrejta dhe emocionale të tij të fundit, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e ktheu krejt vëmendjen e tubimit partiak drejt dy figurave që, sipas tij, po rishkruajnë aleancat politike në vend – lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe tashmë ish-ministri i Shëndetësisë, dhe lider i ASH-së, Arben Taravari, transmeton Flaka
Dorëheqja e Taravarit nga qeveria dhe bashkëpunimi i mundshëm i tij me BDI-në ishin në qendër të mesazheve të Mickoskit, i cili nuk kurseu kritikat, akuzat dhe zhgënjimin personal ndaj dikur aleatit të tij në Qeveri.
“Shumë më thoshin ta largoj më herët Taravarin,” – deklaroi Mickoski. “Por unë doja t’i jepja kohë, t’i jepja mundësi që të zgjedhë mes parimeve dhe llogaritjeve personale. Fatkeqësisht, ai zgjodhi këtë të dytën. Dhe ajo që po ndodh sot është makthi i një politike të vjetër që përpiqet të ringjallet përmes emrave të rinj.”
Kryeministri u shpreh i bindur se hyrja dhe dalja e shpejtë e ASH-së nga qeveria është pjesë e një skenari përçarës dhe pa qëndrueshmëri. Ai e cilësoi këtë si një “lojë të rrezikshme politike” që, sipas tij, do të përfundojë në margjinalizimin e partisë së Taravarit dhe në shkrirjen e saj brenda strukturave të BDI-së.
“Taravari ka zgjedhur të bëhet vegël e BDI-së, e të mbajë në jetë politike ata për të cilët vetë ka folur më së keqi,” – theksoi Mickoski. “Nëse kalkulimet e tij kanë të bëjnë me disa komuna apo lista këshilltarësh, le ta dijë se kjo nuk do t’i sjellë as forcë politike, as respekt publik.”
Kryeministri nuk e fshehu zhgënjimin personal: “Miqve u thoja – lëreni të rrotullohet si peshk në tokë të thatë, të gjejë justifikime. Dua ta shoh si do më shikojë në sy pas gjithçkaje që kemi kaluar si miq.”
Në pjesën më të ashpër të fjalimit, Mickoski ngriti akuza të drejtpërdrejta edhe ndaj BDI-së dhe liderit të saj, Ali Ahmeti, duke e akuzuar për “metoda bindjeje” që, sipas tij, nuk i bëjnë nder politikës. Ai nënvizoi se ky nuk është një konflikt etnik apo ideologjik, por një përplasje mes “ndershmërisë dhe intrigës”.
“Qeveria vazhdon më e bashkuar dhe më e fortë në këtë fazë të re,” – tha Mickoski. “Sepse ky nuk është një duel mes maqedonasve e shqiptarëve, por një betejë mes qytetarëve të ndershëm dhe banditëve politikë.”
Ai përfundoi fjalimin me një mesazh ironik e të hidhur për Taravarin: “I uroj shëndet dhe fat. Ai ka bërë zgjedhjen e vet. Do të vijë dita kur do të takohemi sërish. Dhe atë ditë, unë mezi po e pres.”
Në një skenë politike që po ndryshon me shpejtësi dhe mes lëvizjesh strategjike nga të gjitha palët, një gjë është e qartë: marrëdhëniet mes VMRO-DPMNE dhe ASH kanë hyrë në një epokë të re përplasjesh dhe llogaridhëniesh publike. Sytë e opinionit janë tashmë të drejtuar kah hapat e ardhshëm të Taravarit dhe përgjigjja e VLEN-it për këtë përçarje që mund të riformatojë koalicionet në të ardhmen e afërt. Flaka Media