BDI: Bilall Kasami 2 milionë euro për militantë partiak, 0 investime për zjarrfikësit

Flaka
Botuar nga Flaka 20 Maj, 2025 15:56

BDI: Bilall Kasami 2 milionë euro për militantë partiak, 0 investime për zjarrfikësit

Sot, në një organizim pompoz dhe me prezencë të mediave, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, promovoi të ashtuquajturat “të arritura” të Brigadës Territoriale të Zjarrfikësve në Sheshin Iliria. Por, sipas Shtabit Politik të Bashkimit Demokratik për Integrim – Dega Tetovë, realiteti në terren është krejtësisht ndryshe dhe shumë më i rëndë.

Sipas pasqyrës buxhetore të vetë Komunës së Tetovës për vitet 2024 dhe 2025, për mirëmbajtje dhe riparime të zjarrfikësve janë ndarë vetëm 25.000 euro, ndërsa për investime të reja – 0 denarë. Në të njëjtën kohë, nga buxheti komunal, Bilall Kasami ka ndarë 2 milionë euro për kontrata në vepër, të cilat BDI i cilëson si shpërblime për militantët e Lëvizjes BESA, për angazhime politike dhe logjistikë partiake.

Gjendja në Brigadën e Zjarrfikësve, sipas BDI-së, është alarmante: një numër i madh i automjeteve janë të jashtë funksionit, të dëmtuara dhe të papërdorshme. Mungon gjithashtu edhe stafi i mjaftueshëm për të përballuar nevojat e gjashtë komunave që mbulon kjo brigadë. Për më tepër, BDI thotë se ka indikacione të besueshme se disa zjarrfikës të punësuar përmes lidhjeve partiake nuk paraqiten fare në vendin e punës.

“Keqmenaxhimi dhe mungesa e përgjegjësisë nuk ndalen vetëm te zjarrfikësit – kjo është pamja e përgjithshme në çdo ndërmarrje komunale dhe në çdo segment të shërbimit publik që duhet t’u shërbejë qytetarëve, jo partive politike,” thuhet në reagimin e BDI-së.

Tetova nuk ka nevojë për spektakël. Ka nevojë për shërbime funksionale, për siguri dhe për përgjegjësi. Ndërsa qytetarët kërkojnë zgjidhje, Bilall Kasami shpërblen militantët,” përfundon deklarata nga Shtabi Politik i BDI-së në Tetovë, e cila cilëson mandatin aktual si një dështim në të gjitha frontet. Flaka

Flaka
Botuar nga Flaka 20 Maj, 2025 15:56
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media