Dominim dhe miqësi – Vllaznia mposht Vllazninë Elite 3-0
Në një mbrëmje të ngrohtë vere në stadiumin “Loro Boriçi”, Vllaznia e Shkodrës zhvilloi një ndeshje miqësore me shumë emocione ndaj Vllaznisë Elite të Milanos. Ndonëse rezultati final ishte 3-0 për kuqeblutë, ajo që vlen më shumë është fryma sportive dhe bashkëpunimi që u promovua mes dy klubeve që ndajnë jo vetëm emrin, por edhe pasionin për futbollin.
Trajneri Edi Martini zgjodhi të aktivizojë formacionin më të mirë, duke e kthyer ndeshjen në një test serioz për skuadrën. Qarri në portë ishte i sigurt, ndërsa mbrojtja e përbërë nga Kuro, Bajrami dhe Jazxhi mbajti ekuilibrat perfekt. Mesfusha me Gurishtën, Yagon, Krymin, Qaton dhe Malën solli ritëm dhe fantazi, ndërsa në sulm Gruda dhe Balaj u treguan të rrezikshëm në çdo aksion.
Gruda ishte ai që hapi serinë e golave, ndjekur nga Mala në pjesën e parë, ndërsa Tafili vendosi rezultatin përfundimtar me një realizim të saktë në pjesën e dytë.
Më shumë se një ndeshje, ishte një festë sportive, ku përveç golave, spikati dëshira për të ndarë eksperienca, për të forcuar lidhjet dhe për të promovuar vlerat e futbollit të ndershëm dhe të pasionuar.
Flaka