Kthimi i Grubit “kalli” skenën politike në vend
Kthimi i ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi në vend ka ndezur menjëherë përplasjen politike mes partive, me akuza të ndërsjella për drejtësi selektive, marrëveshje të fshehta dhe kalkulime politike.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim vlerësojnë pozitivisht vendimin e Grubit për t’u kthyer, duke theksuar se kjo krijon mundësinë që përmes një procedure transparente, të drejtë dhe të paanshme të paraqiten të gjitha argumentet dhe të sqarohen çështjet e hapura. Sipas BDI-së, procesi duhet të zhvillohet me standardet më të larta të sundimit të ligjit, me transparencë të plotë, respektim të prezumimit të pafajësisë dhe mbrojtje të të drejtave individuale. Partia thekson se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, pa selektivitet dhe pa ndikime politike, duke paralajmëruar se do ta ndjekë me kujdes procesin në çdo fazë.
Reagim të ashpër ka pasur nga VLEN, të cilët deklarojnë se “BDI po dridhet nga frika” dhe se Grubi është “kutia e zezë” e qeverisjes së tyre. Sipas VLEN-it, ai ka qenë pjesëmarrës dhe ekzekutor i marrëveshjeve të errëta, ndërsa kthimi i tij hap pikëpyetje se kë mund të implikojë në dëshmitë e tij. Koalicioni thekson se pas humbjeve zgjedhore dhe dështimit të premtimeve për rikthim në pushtet, Grubi nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përballet me përgjegjësinë.
Nga ana tjetër, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë e cilëson situatën si “teatër politik”. Sipas LSDM-së, qytetarët nuk do të marrin përgjigje për skandalet, por vetëm spektakël të orkestruar për të mbuluar, siç pretendojnë ata, dështimet dhe aferat e pushtetit aktual. Zëdhënësja Bodanka Kuzesk ka deklaruar se arratisja dhe kthimi i Grubit janë rezultat i marrëveshjeve politike, duke akuzuar se përmes këtij rasti po tentohet të zhvendoset vëmendja nga skandale të tjera serioze.
Rasti i Grubit, që nga momenti i ndalimit në pikën kufitare të Bllacës, është shndërruar në një betejë të hapur narrative mes partive. Për njërën palë është test për drejtësinë dhe sundimin e ligjit; për tjetrën, provë e frikës dhe e prapaskenave politike; ndërsa për opozitën maqedonase, një manovër për mbulim skandalesh.
Në një klimë të tensionuar politike, procesi që pason pritet të ketë jo vetëm dimension juridik, por edhe ndikim të drejtpërdrejtë në balancat dhe narrativat politike në vend. Gazeta Flaka















