Etiketat në shqip mbeten, Zendeli: Ligji u miratua në kohën tonë
Nënkryetarja dhe zëdhënësja e Bashkimi Demokratik për Integrim, Arta Bilalli Zendeli, ka reaguar lidhur me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve që parasheh përdorimin e gjuhës shqipe në etiketat e mallrave.
Sipas saj, ky ligj është miratuar në periudhën kur BDI ishte pjesë e Qeverisë dhe përfaqëson një të drejtë të fituar që nuk është zhbërë.
“Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve që e parasheh përdorimin e gjuhës shqipe në etiketat e mallrave e miratoi Kuvendi në kohën kur BDI ishte pjesë e Qeverisë. Sot, Gjykata Kushtetuese nuk e paska rrëzuar. Kjo është ‘arritje historike’: nuk u prish puna e mbaruar, nuk u zhbë e drejta e fituar”, ka deklaruar Bilalli Zendeli.
Ajo ka drejtuar kritika ndaj koalicionit VLEN, duke theksuar se, sipas saj, nuk ka pasur kontribut në këtë proces.
“E VLEN-i as nuk e bënë ligjin, as nuk e përmirësuan, as nuk shtuan ndonjë standard të ri. Ata, në ndërkohë, janë në proces sa të shkrirjes, aq të përçarjes; sa të bashkimit, aq të shpartallimit dhe për këtë janë duke hyrë në Librin e Rekordeve. Siç duket, për ata qeverisja është praktikë profesionale më shumë se përgjegjësi publike. Siç duket, ju duhet akoma kohë…”, ka shtuar ajo.
Ligji për mbrojtjen e konsumatorëve, që rregullon edhe çështjen e përdorimit të gjuhëve në etiketim, ka qenë objekt diskutimesh publike në periudhën e fundit, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të mos e rrëzuar atë është komentuar nga përfaqësues politikë si konfirmim i vlefshmërisë së dispozitave në fuqi. Gazeta Flaka
















