Dy vite nga vdekja e veprimtarit Kadir Nuhiu – kujtohet kontributi i tij në çështjen kombëtare
Sot shënohen dy vite nga ndarja nga jeta e veprimtarit dhe aktivistit të çështjes kombëtare, Kadir Nuhiu, i cili ndër vite ishte i angazhuar në lëvizjet politike dhe kombëtare në rajonin e Pollogut.
Kadir Nuhiu ndërroi jetë më 5 mars 2024, ndërsa në ditën e varrimit të tij bashkëveprimtarë dhe miq të idealit e kujtuan si një aktivist të përkushtuar dhe një figurë që kontribuoi në organizimin dhe mobilizimin e veprimtarisë kombëtare në periudha të ndryshme.
Ai kishte lindur në fshatin Koritë, ku kreu edhe arsimin fillor, ndërsa shkollën e mesme industriale e përfundoi në Gostivar. Studimet i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Edukatës Fizike, por për shkak të rrethanave politike të kohës nuk arriti t’i përfundojë.
Qysh në rini, Nuhiu ishte pjesë e veprimtarisë ilegale, duke u angazhuar në grupin “Flaka e Lirisë”, i cili vepronte në zonën e Gostivarit dhe më gjerë. Bashkëveprimtarët e kujtojnë si një person që kishte aftësi për të bashkuar njerëz të shtresave të ndryshme rreth qëllimeve të përbashkëta kombëtare.
Me vendosjen e pluralizmit politik në vend, ai vazhdoi angazhimin e tij publik dhe politik. Sipas bashkëveprimtarëve, moszgjidhja e çështjes kombëtare e shtyu atë të përfshihet edhe në përgatitjet për konfliktin e vitit 2001, ku gjatë luftës së udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK) ishte i angazhuar në strukturat e logjistikës dhe më pas në kundërzbulim për rajonin e Pollogut.
Edhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ai mbeti aktiv në jetën politike dhe shoqërore, duke vazhduar të angazhohet në çështjet që lidhen me të drejtat dhe pozicionin e shqiptarëve.
Dy vite pas vdekjes së tij, familjarë, miq dhe bashkëveprimtarë e kujtojnë Kadir Nuhiun si një figurë të përkushtuar ndaj idealit kombëtar dhe si një aktivist që la gjurmë në veprimtarinë politike dhe shoqërore në rajon. Gazeta Flaka
















