Gostivarasja Nita Kaprolli – Shqiptarja që po ngjitet në majat e inteligjencës artificiale në Amerikë
Nga një nxënëse që përfundoi arsimin para kohe, në një lidere të re në inteligjencën artificiale në Shtetet e Bashkuara – ky është rrugëtimi i Nita Kaprollit.
E lindur dhe e rritur në Maqedoni, ajo përfundoi arsimin fillor dhe të mesëm për vetëm 10 vite, duke u avancuar dy herë gjatë shkollimit. Studimet universitare i ndoqi paralelisht në dy drejtime – Inxhinieri Kompjuterike dhe Matematikë e Informatikë – ndërsa më pas përfundoi masterin në zhvillim aplikacionesh softuerike.
Formimin e saj e thelloi edhe në Massachusetts Institute of Technology (MIT), në programin “Applied Data Science – Leverage AI”, ku u dallua për rezultate të larta akademike.
Që herët, Kaprolli është vlerësuar me 16 çmime në fusha shkencore dhe letrare. Ka shkëlqyer në matematikë, oratori dhe letërsi, ndërsa është edhe autore e librit “Po vij”, i mbështetur nga Ministria e Kulturës.
Përvoja e saj shtrihet nga media – ku ka drejtuar emisione dhe ka punuar si gazetare – deri te angazhimet institucionale dhe projektet në programim.
Në moshën 23-vjeçare u zhvendos në SHBA, ku ndërtoi karrierë si Data Scientist në Managed Healthcare Associates (Roper Technologies). Në vitin 2025 u nderua me Çmimin Presidencial të kompanisë për zhvillime në inteligjencën artificiale.
Sot, ajo udhëheq departamentin e automatizimit, duke kontribuar në transformimin digjital dhe rritjen e efikasitetit në kompani.
Në fushën kërkimore, ka publikuar studime mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në parashikimin e demencës, ndërsa aktualisht punon në projekte të avancuara me algoritme machine learning.
Paralelisht, është ligjëruese në King’s College, ku përgatit studentët për tregun ndërkombëtar të punës.
Përtej suksesit personal, vizioni i saj është i qartë: të mbështesë studentët shqiptarë, të ndërtojë një inkubator teknologjik dhe të kontribuojë në zhvillimin global të talenteve në inteligjencën artificiale. Gazeta Flaka
















