BDI mobilizoi nënshkrimet në Maqedoninë e Veriut, Veteranët e UÇK-së falënderojnë shqiptarët në RMV
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së njoftoi se ka pranuar rreth 20 mijë nënshkrime në kuadër të peticionit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, përcjell Flaka.
“Sot pranuam rreth 20 mijë nënshkrime të peticionit. Faleminderit bashkëluftëtarëve dhe bashkëkombasve nga Maqedonia e Veriut për mbështetjen dhe kontributin e tyre”, thuhet në njoftimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Sipas informacioneve nga terreni, në Maqedoninë e Veriut, pjesa më e madhe e nënshkrimeve është mbledhur përmes strukturave të Bashkimit Demokratik për Integrim, të udhëhequr nga Ali Ahmeti.
Vetë Ahmeti ka qenë aktiv në këtë fushatë mbështetëse, duke marrë pjesë në tubimet e organizuara në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup.
Në një nga paraqitjet e tij publike, Ahmeti kishte deklaruar se “mbështetja për çlirimtarët është obligim moral dhe kombëtar”, duke theksuar rëndësinë e solidarizimit me ata që, sipas tij, bartën barrën e luftës për liri.
Fushata e peticionit është parë si një mobilizim i gjerë qytetar në trojet shqiptare, me pjesëmarrje të konsiderueshme edhe nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Gazeta Flaka
















