Edhe Aleanca për Shqiptarët mirëpret zgjedhjet e parakohshme: VLEN tradhtoi shqiptarët!
Aleanca për Shqiptarët ka bërë thirrje për shpalljen sa më të shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke vlerësuar se ato janë zgjidhja e vetme për të nxjerrë vendin nga, siç e cilëson, ngërçi politik, diplomatik dhe ekonomik.
Në reagimin e saj publik, partia e udhëhequr nga Arben Taravari deklaron se mbështet çdo iniciativë për shpalljen e zgjedhjeve të reja, duke theksuar se kjo do të mundësonte edhe zhbllokimin e procesit eurointegrues.
“Aleanca për Shqiptarët mbështet dhe inkurajon kryeministrin e vendit që sa më parë t’i bëjë thirrje Kuvendit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për të mundësuar lehtësimin dhe debllokimin e procesit eurointegrues të vendit, i cili po mbahet peng nga kjo qeveri”, thuhet në reagim.
Partia ka drejtuar kritika të ashpra ndaj koalicionit VLEN, duke e akuzuar se ka dështuar të përmbushë premtimet kryesore ndaj shqiptarëve.
“Për shqiptarët zgjedhjet janë shpëtimi i vetëm nga përfaqësuesit e pafuqishëm të shqiptarëve VLEN, të cilët kanë tradhtuar rëndë pritshmëritë e shqiptarëve”, thekson Aleanca për Shqiptarët.
Sipas kësaj partie, VLEN ka marrë përgjegjësi për vendime që kanë dëmtuar pozitën institucionale të shqiptarëve.
“VLEN mori përgjegjësinë për të hequr balancuesin dhe e zëvendësoi atë me një ligj skandaloz për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke penguar reformën e vërtetë”, thuhet më tej në reagim.
Aleanca për Shqiptarët e akuzon këtë formacion politik edhe për dështim në realizimin e ndryshimeve kushtetuese, për mosmbështetje ndaj studentëve shqiptarë lidhur me provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, si dhe për, siç thuhet, degradimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucione.
“Në vend të barazisë, VLEN ka sjellë nënçmim. Në vend të reformave të thella, ka krijuar bllokada të turpshme. Në vend të përshpejtimit të integrimeve evropiane, ka shkaktuar ngecje të rënda dhe pasiguri të frikshme”, vlerëson partia.
Në deklaratë përmendet edhe gjendja ekonomike dhe sociale në vend, me theks të veçantë te rritja e kostos së jetesës dhe emigrimi i të rinjve.
“Qytetarët po përballen çdo ditë me çmime të larta, të papërballueshme për xhepin e tyre për shkak të pagave të ulëta dhe një të ardhmeje pa shpresë që shumë të rinj i ka detyruar edhe të emigrojnë”, thuhet në reagim.
Në fund, Aleanca për Shqiptarët u ka bërë thirrje qytetarëve që përmes zgjedhjeve të reja të vendosin për drejtimin politik të vendit.
“Në këtë ngërç politik e diplomatik, në këtë kohë të krizës së thellë ekonomike dhe sociale, zgjedhjet nuk janë thjesht një opsion, ato janë zgjidhja e vetme”, përfundon reagimi i partisë. Gazeta Flaka
















