BDI: Izet Mexhiti simbol i nepotizmit brutal në politikën shqiptare
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka lëshuar akuza të ashpra ndaj Izet Mexhiti, duke e cilësuar atë si “promotor të nepotizmit brutal” dhe si përfaqësues të një modeli të vjetër dhe të dëmshëm të politikëbërjes.
Në reagimin e tyre, nga BDI thonë se Mexhiti “u bë milioner duke e varfëruar Çairin”, ndërsa sot, sipas tyre, përpiqet të paraqitet si figurë e ndryshimit.
“Njeriu që u bë milioner duke e varfëruar Çairin, sot mundohet të shitet si ndryshim, por qytetarët e dinë të vërtetën: struktura e tij politike funksionon me të njëjtën logjikë si klanet mafioze – besnikëri familjare, interesa personale dhe kontroll përmes njerëzve të tij të afërt”, thuhet në reagim.
BDI pretendon se për më shumë se dy dekada, Mexhiti dhe rrethi i tij kanë “uzurpuar përfaqësimin e shqiptarëve në Shkup” dhe kanë dëmtuar perspektivën e të rinjve.
“Për më shumë se 20 vite, ai dhe grupi i tij ia shkatërruan të ardhmen një gjenerate të tërë të të rinjve të Shkupit, ndërkohë që u rrit vetëm pasuria dhe ndikimi i tij personal”, deklarojnë nga BDI.
Në fund, kjo parti thekson se qytetarët shqiptarë nuk kanë nevojë për, siç e quajnë ata, “riciklim të së njëjtës mendësi”, duke akuzuar se modeli i përfaqësuar nga Mexhiti ka instaluar “vazalitetin dhe keqpërdorimin si standard në politikë”. Gazeta Flaka
















