Selimi: Propaganda politike nuk e zbeh dot kauzën e studentëve
Sefer Selimi reagoi ndaj kritikave dhe insinuatave që po bëhen ndaj protestës studentore në Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar se mungesa e guximit për t’u dalë hapur në mbështetje studentëve po i shtyn segmente të caktuara politike të tentojnë ta njollosin protestën përmes propagandës.
Ai theksoi se protesta studentore ka vetëm një qëllim – respektimin e Kushtetutës dhe ligjit.
“Mungesa e guximit për t’u qëndruar në krah studentëve, po i detyron fragmente të caktuara të partive politike që, përmes insinuatave e propagandës të përpiqen ta njollosin dhe kontaminojnë protestën studentore, e cila në thelb ka vetëm një kërkesë: respektimin e Kushtetutës dhe Ligjit”, shkroi Selimi.
Sipas tij, të drejtat e fituara nuk duhet të vihen në diskutim dhe për këtë arsye e gjithë shoqëria duhet të solidarizohet me studentët.
“Të drejtat e fituara nuk negociohen. Prandaj, e gjithë shoqëria, në pushtet e opozitë, duhet t’u dalë në mbështetje studentëve. Profesorë, prindër, punonjës akademikë, shoqëri civile, media dhe secili qytetar individualisht duhet t’u qëndrojë në krah”, deklaroi ai.
Në fund, Selimi u bëri thirrje partive politike, si atyre në pushtet ashtu edhe opozitës, që ta mbështesin publikisht dhe privatisht protestën studentore.
“Nuk po kërkohet privilegj por respektim i Kushtetutës, ligjit dhe dinjitetit kombëtar”, përfundoi Selimi. Gazeta Flaka
















