Studentët nga Tirana: Po na mbajnë në kufi që të mos arrijmë në protestën në Shkup
Një autobus me studentë nga Shqipëria është bllokuar në kufirin me Maqedoninë e Veriut, ndërsa studentët që po udhëtonin drejt Shkupit thonë se vonesat po bëhen qëllimisht për t’i penguar të marrin pjesë në protestën studentore për gjuhën shqipe.
Dashnor Veizaj, bashkëkryetar i Unionit të Këshillit Studentor në Shqipëri, deklaroi se grupi prej studentësh po mbahet për një kohë të gjatë në kufi me arsyetimin se po verifikohet nëse në autobus ka persona minorenë.
“Në kufi me Maqedoninë e Veriut është krijuar një situatë e pashpjegueshme. Jemi një autobus me studentë, të gjithë 18 vjeç. Na kanë bllokuar dhe na kanë thënë që autobusi duhet të kthehet mbrapsht pasi duhet të verifikojmë nëse ka minorenë në grup”, tha Veizaj në një lidhje direkte për A2CNN.
Ai shtoi se studentët dyshojnë se vonesat po bëhen për të mos arritur në kohë në protestën e paralajmëruar në Shkup.
“Kjo gjë po ndodh që ne të mos kapim orën e nisjes së protestës në Shkup”, deklaroi ai.
Veizaj e cilësoi trajtimin ndaj studentëve si të papranueshëm, duke theksuar se bëhet fjalë për një udhëtim solidarizues me studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
“Studenti më i vogël në grup është në vitin e parë të universitetit. Është e papranueshme se si po trajtohemi”, u shpreh ai.
Sipas tij, studentët kanë kontaktuar edhe ambasadorin shqiptar për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës, ndërsa autoritetet kufitare u kanë thënë se janë në pritje të udhëzimeve nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut. Gazeta Flaka
















