Urimi i Myftiut H. Sabahudin ef. Zendeli për Kurban Bajram 2026
لَنْ يَنَالَ اللّٰهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَٓاؤُ۬هَا وَلٰكِنْ يَنَالُهُ التَّقْوٰى مِنْكُمْۜ..
Te All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin devotshmëria juaj. (Sureja El-Haxh, ajeti 37)
Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra,
Me zemrat të mbushura plot besim, respekt dhe shpresë në mëshirën e pakufishme të Krijuesit tonë, me ndjenjat më të larta të mirënjohjes e presim festën e madhe të Kurban Bajramit.
Kjo festë e na kujton vlerën e sakrificës së sinqertë, devotshmërisë dhe solidaritetit njerëzor. Përmes prerjes së kurbanit dhe ndarjes së tij me skamnorët, fqinjët dhe të afërmit, ne dëshmojmë gatishmërinë tonë për t’u afruar me All-llahun e Madhërishëm dhe për të forcuar urat e dashurisë, mëshirës dhe vëllazërisë mes nesh.
Nga Lugina e Bekuar e Arafatit, vendi i pranimit të lutjeve dhe i përgjërimit të sinqertë ku sot miliona besimtarë nga mbarë bota bashkohen në një zë, ju përcjell urimet më të ngrohta dhe më vëllazërore.
Në këto çaste të madhëruara, teksa së bashku me haxhilerët tanë po plotësojmë kushtin e Haxhit në vendet e shenjta, lutjet tona të pandalshme drejtuar Krijuesit janë për paqe, shëndet, mbarësi dhe harmoni në çdo familje tuajën.
Andaj, le të jetë kjo ditë një festë e vërtetë e bujarisë dhe e afrimit me njëri-tjetrin!
All-llahu ua pranoftë haxhin të gjithë haxhilerëve, ua pranoftë kurbanët dhe të gjitha lutjet e ibadetet e këtyre ditëve të bekuara!
Në emrin tim personal nga ky vend i shenjtë, si dhe në emrin e çdo nëpunësi të Muftinisë së BFI – Gostivar, Ju uroj përzemrësisht:
Me fat festa e Kurban Bajramit, gëzofshi pranë të dashurve tuaj për shumë vjet!
















