Ballistët kërkojnë ndërhyrje politike: Të hiqen duart nga sporti
Grupi i tifozëve “Ballistët” nga Tetova ka reaguar ashpër ndaj dënimit të shqiptuar ndaj KF Shkëndijës, duke kërkuar nga faktori politik shqiptar që të reagojë dhe të ndikojë për, siç thonë ata, largimin e politikës nga sporti.
“Deri te faktori politik shqiptar, të çfarëdo subjekti, pozitë apo opozitë, të ndërmerr masa që pushteti (VMRO) të heq duart nga sporti dhe FFM si institucion përgjegjës për organizimin e ngjarjeve sportive të qëndrojë neutrale dhe e sinqertë”, thuhet në reagimin e tyre.
Ballistët akuzojnë se Federata e Futbollit të Maqedonisë po favorizon klube të caktuara në dëm të të tjerëve dhe kërkojnë, sipas tyre, drejtësi në trajtimin e ndeshjeve dhe vendimeve disiplinore.
Në reagim kritikohet edhe deklarata e fundit e FFM-së, për të cilën tifozët thonë se përmban sulme të drejtpërdrejta ndaj zyrtarëve të klubit.
“FFM me deklaratën e fundit hapur sulmon zyrtarë të klubit duke i quajtur arrogantë të vetëpëlqyer, duke shprehur idenë se çështja është e mbyllur dhe se nuk mund të bëni asgjë”, theksojnë Ballistët.
Sa i përket dënimit financiar prej 105 mijë eurosh për finalen e Kupës, tifozët e konsiderojnë atë “drakonik, skandaloz dhe të padrejtë”, duke kërkuar rishikimin urgjent të vendimit dhe uljen e masës ndëshkuese.
“Në bazë të dënimeve për ngjarje të njëjta për klube tjera, na jepet të kuptojmë se dënimi për Shkëndijën është i qëllimshëm dhe i padrejtë”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, Ballistët shprehen të pakënaqur edhe me mungesën e reagimit politik, duke vlerësuar se çështja tashmë ka kaluar kufijtë sportivë.
“Kjo çështje nga sportive ka kaluar në politike, edhe pse fatkeqësisht nuk duhet të ishte kështu”, deklarojnë ata, duke paralajmëruar se po diskutojnë “ndërmarrjen e veprimeve konkrete” nëse, sipas tyre, nuk ndryshon qasja ndaj klubit. Gazeta Flaka
















