Debat për Ligjin e Përfaqësimit të Drejtë dhe Adekuat, VLEN e quan historik, opozita e cilëson të rrezikshëm
Propozim-ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat ka nxitur debat të fortë në Kuvend, ku përfaqësuesit e pushtetit e vlerësuan si një zgjidhje historike që për herë të parë pas 24 vitesh rregullon me ligj këtë çështje, ndërsa opozita shqiptare dhe ajo maqedonase ngritën kritika për përmbajtjen dhe mekanizmat e zbatimit.
Duke arsyetuar propozimin, zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, tha se ligji synon të ndërthurë përfaqësimin e drejtë me meritokracinë dhe se është hartuar në përputhje me standardet evropiane.
“Ky ligj ka për qëllim që përfaqësimi i drejtë dhe meritokracia të ecin së bashku, sepse institucionet më të larta janë ato që janë profesionale dhe përfaqësuese. Gjithashtu, aspekti kryesor është fakti se ligji është i harmonizuar me Komisionin e Venecias. Pra bëhet fjalë jo për zgjidhje partiake, por për zgjidhje që është në përputhje me standardet evropiane dhe me shtetin e drejtë”, deklaroi Sali.
Reagimi më i ashpër erdhi nga nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, i cili vlerësoi se ligji ndryshon rrënjësisht konceptin e përfaqësimit të drejtë të paraparë me Marrëveshjen e Ohrit.
“Nëse miratohet, ky ligj do të shënojë një nga ditët më të errëta për marrëdhëniet ndëretnike dhe për frymën e Marrëveshjes së Ohrit”, tha Osmani.
Sipas tij, deri më tani përfaqësimi i drejtë garantohej që në fillim të procesit të punësimit, ndërsa me zgjidhjen e re vendimmarrja u lihet drejtuesve të institucioneve, ndërsa kontrolli i respektimit të përfaqësimit bëhet vetëm më vonë përmes raporteve vjetore.
Edhe deputeti Halil Snopçe nga Fronti Evropian kritikoi propozimin, duke e cilësuar si formal dhe pa mekanizma të mjaftueshëm për zbatim.
“Kemi një propozim-ligj pro-forma, por i njëjti nuk i plotëson standardet dhe nuk ka mekanizma, nuk ka kornizë kohore për këtë ligj”, tha Snopçe.
Në mbrojtje të ligjit doli deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, i cili u bëri thirrje kundërshtarëve të mos e minimizojnë rëndësinë e tij.
“Do t’ju lutesha që me simbole politike të mos e sensacionalizoni masën dhe opinionin dhe në mënyrë folklorike të mos tentohet të minimizohet një propozim-ligj që është historik dhe shumë i rëndësishëm për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Azizi.
Kritika të forta adresoi edhe deputeti Skender Rexhepi, i cili tha se ligji nuk përmban mekanizmat e nevojshëm për të garantuar suksesin e tij.
“Në mungesë të kuotave etnike, kjo do të thotë se ky propozim-ligj hidhet në kosh. Nëse gjatë punësimit nuk ka kuota që u garantojnë komuniteteve përfaqësim, atëherë ai propozim-ligj është i papërdorshëm”, u shpreh Rexhepi.
Nga ana tjetër, deputeti Bekim Qoku argumentoi se ligji mbështetet në të dhënat e regjistrimit të popullsisë dhe garanton trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët.
“Ligji garanton mundësi të barabarta për komunitetet më të vogla që të kenë të gjitha të drejtat në të gjitha nivelet. Ligji garanton të drejtat e qytetarëve”, tha Qoku, duke u bërë thirrje deputetëve ta mbështesin propozimin.
Rezerva shprehu edhe deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, i cili tha se thelbi i ligjit është zhgënjyes dhe se administrata publike duhet të ndërtohet mbi profesionalizmin dhe kompetencën.
“Çdo qytetar duhet të punësohet dhe avancohet sipas njohurive, aftësive, profesionalizmit dhe integritetit. Administrata shtetërore nuk duhet të jetë pre e partisë, as treg etnik”, deklaroi Bytyqi.
Sipas propozimit, përfaqësimi i drejtë në institucionet shtetërore duhet të bazohet në të dhënat reale të regjistrimit të fundit të popullsisë dhe në nevojat konkrete për punësim. Ndërkohë, Komisioni parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive zhvilloi debat publik për ligjin, i cili ndodhet në lexim të parë dhe procedurë të rregullt parlamentare. Gazeta Flaka
















