Atletico shpërthen ndaj Barcelonës për Julián Álvarez: “Po gënjejnë të gjithë, do t’i raportojmë në FIFA”
Tensionet mes Atlético Madrid dhe FC Barcelona kanë arritur kulmin pas deklaratave të forta të drejtorit ekzekutiv të klubit madrilen, Miguel Ángel Gil Marín, lidhur me interesimin e katalanasve për sulmuesin argjentinas Julián Álvarez.
Në një intervistë për EFE, Gil akuzoi Barcelonën për mungesë respekti ndaj Atleticos, duke deklaruar se klubi katalanas po përpiqet të krijojë perceptimin se mund të realizojë një transferim që, sipas tij, nuk ka mundësi reale ta përfundojë.
“Barcelona nuk na respekton dhe mendon se mund të na nënvlerësojë. Ata po tregojnë një mënyrë veprimi që i karakterizon”, deklaroi drejtuesi i Atleticos.
Ai kritikoi gjithashtu momentin e deklaratave të bëra nga Álvarez, duke theksuar se dita duhej t’i takonte kombëtares argjentinase dhe jo spekulimeve për të ardhmen e lojtarit. Gil rikujtoi edhe rastin e vitit të kaluar me Nico Williams dhe Athletic Club, duke pretenduar se Barcelona kishte ndjekur të njëjtën strategji.
Megjithatë, ai pranoi se Álvarez ka komunikuar me drejtuesit e klubit për situatën e tij, por nënvizoi se pozicioni i Atleticos mbetet i pandryshuar.
“Julián ka ëndrrat e tij, por edhe Atletico ka ëndrrat e veta. Ne kemi qenë shumë të qartë: Atletico nuk dëshiron ta shesë lojtarin”, shtoi ai.
Deklarata më e fortë erdhi kur Gil akuzoi Barcelonën se po mashtron opinionin publik për mundësinë e transferimit dhe paralajmëroi masa zyrtare.
“Barcelona po gënjen të gjithë duke u përpjekur të bindë opinionin se është në gjendje të realizojë një marrëveshje që në realitet nuk mund ta përfundojë. Ne do të mbrojmë interesat e Atleticos dhe do të paraqesim një ankesë në FIFA”, përfundoi ai.
Kjo përplasje pritet të ndezë edhe më shumë sagën e transferimit të Julián Álvarez, një nga emrat më të përfolur të merkatos së verës.
Flaka












