Ulen çmimet e karburanteve, nafta lirohet për 8 denarë
Pas një muaji me rritje të vazhdueshme të çmimeve të karburanteve, nga mesnata qytetarët do të paguajnë më lirë për naftën dhe benzinën.
Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE), pas seancës së mbajtur të hënën, ka vendosur që nga 11 gushti të hyjnë në fuqi çmimet e reja të derivateve të naftës. Çmimet ulen mesatarisht për 5.81 për qind.
Sipas vendimit, nafta EURODIESEL BS (D-E-V) do të lirohet për 8 denarë dhe do të kushtojë 91.5 denarë për litër.
Benzina EUROSUPER BS-95 do të kushtojë 87 denarë për litër, ndërsa EUROSUPER BS-98 do të shitet me 89 denarë për litër. Kjo paraqet ulje prej 4 denarësh për litër për të dyja llojet e benzinës.
Ndërkohë, çmimi i vajit ekstra të lehtë për amvisëri është ulur për 6 denarë dhe tani do të jetë 92.5 denarë për litër, ndërsa mazuti M-1 NS do të kushtojë 43.538 denarë për kilogram, pas uljes prej 2.8 denarësh.
KRRE bëri të ditur se çmimi i ri llogaritet në bazë të mesatares së çmimeve të 15 ditëve të fundit. Në çmimet e reja është përfshirë edhe ulja e akcizës me 4 denarë për litër të naftës dhe 2 denarë për litër të benzinës.
Nga KRRE sqaruan se akciza është në kompetencë të Ministrisë së Financave dhe se institucioni vetëm i zbaton vendimet përkatëse të Qeverisë dhe Ministrisë.
Ndërkohë, pavarësisht paralajmërimeve se mund të ketë vendim edhe për TVSH-në, deri më tani nuk ka pasur ndryshime nga Ministria e Financave.
Nafta deri më tani kishte arritur çmimin më të lartë në rreth tre vjet e gjysmë, ndërsa rekordi historik ishte 111 denarë për litër. Benzina kishte arritur deri në 110 denarë për litër.
Flaka












