BDI: Janevska kërkon shfuqizimin e Badenterit dhe i quan shqiptarët “komunitet i vogël”
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të ministres së Arsimit, Vesna Janevska, lidhur me zbatimin e parimit të Badenterit, duke i cilësuar ato si sulm të drejtpërdrejtë ndaj një prej shtyllave të Marrëveshjes së Ohrit.
Sipas BDI-së, Janevska e ka trajtuar Badenterin si një “mjet” që mund të zbatohet ose jo, në varësi të vlerësimit të Qeverisë.
“Janevska e quan Badenterin ‘mjet’. Kërkon që ai të mos zbatohet aty ku ajo dhe Qeveria mendojnë se ‘nuk duhet’. Kushtetuta nuk ia jep këtë të drejtë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia thekson se Amendamenti X i Kushtetutës parasheh shumicë të dyfishtë për ligjet që prekin fusha të caktuara, përfshirë arsimin, dhe se zbatimi i këtij mekanizmi nuk mund të varet nga vlerësimi personal i ministres.
BDI e cilëson si veçanërisht shqetësuese edhe mënyrën se si, sipas saj, Janevska iu është referuar shqiptarëve si “komunitet i vogël”.
“Shqiptarët janë popull shtetformues dhe pjesë thelbësore e rendit kushtetues të dalë nga Marrëveshja e Ohrit”, thuhet në reagim.
Sipas BDI-së, Badenteri përbën garanci kushtetuese që shumica numerike të mos vendosë e vetme për çështje që lidhen me gjuhën, arsimin dhe identitetin e shqiptarëve.
BDI akuzon gjithashtu koalicionin VLEN se nuk po i mbron interesat e shqiptarëve në Qeveri dhe se heshtja e tij, sipas partisë, u mundëson ministrave të bëjnë deklarata që ajo i konsideron poshtëruese.
Në fund, BDI kërkon nga ministrja Janevska që të kërkojë falje publike dhe të tërheqë deklaratën.
“Badenteri nuk është në dispozicion të Qeverisë. Ai është detyrim kushtetues”, përfundon reagimi i BDI-së. Gazeta Flaka
















