BE-ja pajis Doganën e Maqedonisë së Veriut me 26 automjete dhe pajisje të specializuara
Në pikëkalimin kufitar të Tabanovcit, Bashkimi Evropian sot i ka dorëzuar Drejtorisë Doganore të Maqedonisë së Veriut 26 automjete dhe pajisje të specializuara për forenzikë dhe teknologji informative (IT).
Sipas Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, pajisjet e reja do të forcojnë kapacitetet e kontrollit doganor përgjatë Korridorit X, me qëllim luftimin më efikas të mashtrimeve doganore dhe trafikimit të paligjshëm të mallrave.
“Sistemet e kontrollit doganor në Korridorin X janë forcuar tashmë për të luftuar më mirë mashtrimet doganore dhe trafikimin e paligjshëm të mallrave, ndërkohë që kompanive u lehtësohet procesi i të bërit biznes me BE-në”, thuhet në njoftimin e Delegacionit të BE-së.
Nga Delegacioni theksojnë se mbështetja synon jo vetëm rritjen e sigurisë në kufij, por edhe lehtësimin e tregtisë dhe përgatitjen e vendit për integrimin e ardhshëm në Bashkimin Evropian.
“Doganë më mirë e pajisur. Luftë më e fortë kundër krimit të organizuar. Tregti më e lehtë”, përfundon mesazhi i Delegacionit të BE-së. Flaka










