Me thikë drejt policëve, njëri përfundon me plagë të rënda
Një ndërhyrje policore në Kumanovë është shndërruar në një situatë të rrezikshme, pasi një 40-vjeçar dyshohet se ka sulmuar me thikë dy pjesëtarë të policisë.
Ngjarja ka ndodhur më 11 shtator, kur zyrtarët policorë ndërhynë për të parandaluar një vepër penale. Sipas Prokurorisë Themelore Publike në Kumanovë, policët përdorën forcë për të hapur derën e një dhome të mbyllur ku ndodhej i dyshuari.
Në momentin e hyrjes, 40-vjeçari dyshohet se ka nxjerrë thikën dhe është vërsulur ndaj policëve.
Njëri prej zyrtarëve ka pësuar lëndime të rënda trupore, përfshirë plagë shpuese dhe prerje.
Pas incidentit, Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nisur hetim ndaj 40-vjeçarit, i cili dyshohet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave të sigurisë”.
Për shkak të rrezikut që i dyshuari të arratiset ose të përsërisë veprën, prokurori publik i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake caktimin e masës së paraburgimit.
Rasti mbetet nën hetim, ndërsa autoritetet po përcaktojnë të gjitha rrethanat e incidentit.















