Përfunduan fjalët përfundimtare në Hagë, mbrojtja kërkon lirimin e Thaçit dhe të bashkëakuzuarve
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka përfunduar faza e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Gjatë ditës së tretë të fjalëve përfundimtare, Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ekipet e mbrojtjes paraqitën argumentet e tyre përfundimtare para trupit gjykues.
Prokuroria ka kërkuar dënim me 6 vjet burgim për Thaçin, nga 3 vjet për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun, ndërsa për Kuçin ka kërkuar 9 muaj burgim.
Prokurori Matt Halling pretendoi se të akuzuarit, përmes veprimeve të koordinuara, kanë tentuar të pengojnë një zyrtar në kryerjen e detyrave të tij.
Ndërkaq, prokurori Joshua Hafetz u ndal te takimet e Thaçit me Bashkim Smakajn, duke pretenduar se gjatë tyre janë dhënë udhëzime lidhur me dëshminë e dëshmitarit Bislim Zyrapi, veçanërisht për çështjet që lidhen me Shtabin e Përgjithshëm.
Mbrojtja i ka kundërshtuar këto pretendime dhe ka kërkuar aktgjykime liruese për të gjithë të akuzuarit.
Avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, argumentoi se Prokuroria nuk e ka përmbushur barrën e provës dhe kundërshtoi përdorimin e transkripteve si bazë për shpalljen e fajësisë.
Edhe mbrojtja e Isni Kilajt, përmes avokatit Joe Holmes, tha se nuk ekzistojnë prova se klienti i tij ka tentuar të pengojë drejtësinë apo se ka kontaktuar dëshmitarë në rastin e krimeve të luftës.
Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe avokatët e Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit. Ata theksuan se Prokuroria nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për të dëshmuar fajësinë e klientëve të tyre dhe kërkuan lirimin e tyre.
Thaçi, Smakaj, Fazliu, Kilaj dhe Kuçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat në seancat fillestare.
Sipas aktakuzës, Thaçi dyshohet se, individualisht dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, ka marrë pjesë në përpjekje për të ndikuar në dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Aktakuza përfshin akuza për pengim të personave zyrtarë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa ndaj Hajredin Kuçit rëndojnë dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, çështja mbetet për vendimmarrje të trupit gjykues. Gazeta Flaka










