Mickoski kërkon BE-në në tavolinë me Bullgarinë: “Nuk hyjmë në aventurë pa e ditur fundin”

Kryeministri Hristijan Mickoski kërkon që Bashkimi Evropian të përfshihet drejtpërdrejt në dialogun mes Shkupit dhe Sofjes, duke argumentuar se takimet e deritanishme bilaterale nuk kanë sjellë rezultat konkret.
Në një intervistë për televizionin publik, Mickoski tha se mosmarrëveshja është mes dy vendeve, por sipas tij BE-ja duhet të jetë pjesë e procesit për të dëgjuar argumentet e të dyja palëve.
Sipas kryeministrit, takimet e zhvilluara deri tani mes përfaqësuesve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë kanë qenë kryesisht formale dhe nuk kanë prodhuar përparim thelbësor.
Mickoski tha se Qeveria nuk dëshiron të hyjë në një proces ku, pasi të pranojë një kusht, gjatë negociatave me BE-në mund të shfaqen kërkesa të tjera.
“Ne nuk duam të hyjmë në aventurë pa e ditur fundin”, është në thelb mesazhi i tij.
Sipas tij, Shkupi kërkon garanci se kushtet nuk do të ndryshojnë vazhdimisht dhe se përmbushja e një marrëveshjeje nuk do të pasohet nga kërkesa të reja që mund të krijojnë bllokime të tjera.
Kryeministri tha gjithashtu se Maqedonia e Veriut ka propozime për tejkalimin e mosmarrëveshjes dhe se ato duhet të diskutohen me Bullgarinë, duke rikujtuar se të dyja vendet janë anëtare të NATO-s.
Në këtë proces, Mickoski tha se Shkupi po i prezanton qëndrimet e veta edhe para partnerëve strategjikë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, nga Sofja vazhdon qëndrimi se çështja duhet të trajtohet përmes dialogut dypalësh, pa ndërmjetësim të drejtpërdrejtë të BE-së. Pikërisht këtu qëndron një nga dallimet kryesore mes dy palëve.
Dialogu vazhdon, por Shkupi kërkon që këtë herë BE-ja të jetë në tavolinë.











