Tre liderë shqiptarë në një skenë, Ahmeti: “Më 18 tetor vendimi do të jetë Arkin Jahija”

Bërvenica sonte u bë skenë e një tubimi ku u bashkuan tre liderë politikë shqiptarë – Ali Ahmeti, Arben Taravari dhe Skender Rexhepi-Zejdi – në mbështetje të kandidatit të AKI-së për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiji.
Prania e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, dhe liderit të Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi-Zejdi, në të njëjtën ngjarje i dha një dimension të veçantë fushatës së Jahijit.
Nga Çellopeku, Ahmeti tha se kandidatura e Arkin Jahijit nuk duhet parë përmes “akrobacioneve matematikore” apo pazareve politike, por përmes vullnetit të qytetarëve të Bërvenicës.
“Bërvenica meriton më mirë dhe qytetarët e saj meritojnë që drejtimi i komunës t’i besohet një biri të tyre, që i njeh nga afër nevojat dhe hallet e tyre”, deklaroi Ahmeti.
Ai tha se vendimin për kryetarin e ardhshëm do ta marrin vetë qytetarët.
Sipas Ahmetit, Jahiji e njeh komunën, fshatrat dhe banorët e saj, ndërsa mbështetja qytetare, sipas tij, do t’i mundësojë që këtë njohje ta kthejë në punë konkrete.
“Më 18 tetor, vendimin do ta marrin vetë qytetarët. Dhe ai vendim do të jetë Arkin Jahija për Kryetar”, u shpreh lideri i BDI-së.
Tubimi në Bërvenicë vjen në një fazë të fushatës ku mbështetja e disa subjekteve dhe liderëve shqiptarë për të njëjtin kandidat synon të krijojë një front të përbashkët politik rreth kandidaturës së Jahijit.
Tani mbetet që 18 tetori të tregojë nëse ky bashkim politik do të përkthehet edhe në vota në kutitë e votimit. Gazeta Flaka











