Mot i ndryshueshëm dhe temperatura deri në 26 gradë, LAMM apel për kujdes në disa akse rrugore
Sinoptikanët parashikojnë sot mot me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell, ndërsa në pjesët juglindore të vendit do të ketë kushte për reshje të dobëta shiu. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verilindor.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 1 deri në 11 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimale pritet të arrijnë nga 19 deri në 26 gradë.
Në Shkup, mëngjesi do të jetë më i freskët, me temperaturë deri në 8 gradë, ndërsa gjatë ditës temperatura do të arrijë deri në 25 gradë Celsius.
Sipas parashikimeve, deri në fund të javës moti do të mbetet me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell. Temperaturat e mëngjesit do të jenë më të ulëta, ndërsa temperaturat gjatë ditës do të mbeten brenda mesatares për këtë periudhë të vitit.
Komunikacioni pa pengesa, LAMM apel për kujdes
Komunikacioni në rrugët shtetërore mëngjesin e sotëm zhvillohet pa pengesa dhe në rrugë të thata. Sipas Lidhjes Auto-Moto të Maqedonisë (LAMM), intensiteti i komunikacionit në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Në pikat kufitare, nga ana e Maqedonisë së Veriut, nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM u rekomandon drejtuesve të automjeteve që ta përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës, të respektojnë sinjalizimin dhe të drejtojnë me kujdes të shtuar, veçanërisht në rrugët që kalojnë nëpër lugina, përgjatë lumenjve dhe në gryka, ku ekziston mundësia e shembjeve të dheut dhe gurëve.
Kujdes i veçantë rekomandohet në akset Katllanovë–Veles, Mavrovë–Dibër–Strugë, Vinicë–Berovë dhe Koçan–Dellçevë, njofton LAMM, percjell Gazeta Flaka.












