Gjashtë të arrestuar në Shkup nën dyshimin për terrorizëm, raportohet për armë dhe simbole të ISIS-it
Gjashtë persona janë arrestuar në Shkup dhe rrethinë gjatë një aksioni të përbashkët të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë për Siguri Kombëtare, nën dyshimin për vepra penale të lidhura me terrorizmin.
Aksioni po zhvillohet në disa lokacione dhe drejtohet nga një prokuror i Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Sipas informacioneve jozyrtare të publikuara nga TV Sitel, gjatë kontrolleve dyshohet se janë gjetur disa pushkë snajper, pistoleta dhe flamuj me simbole të ISIS-it. Po ashtu, raportohet për sekuestrimin e pajisjeve që dyshohet se janë përdorur për nxjerrje ilegale të kriptovalutave.
Për momentin nuk ka të dhëna zyrtare për identitetin, shtetësinë apo rolin konkret të gjashtë personave të arrestuar.
Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të operacionit dhe verifikimit të materialeve të sekuestruara.
Maqedonia e Veriut me raste të hetimeve për terrorizëm
Ky nuk është rasti i parë gjatë këtij viti që autoritetet e Maqedonisë së Veriut njoftojnë për hetime të lidhura me terrorizmin.
Në shkurt të vitit 2026, Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion njoftoi se kishte nisur hetim ndaj një 20-vjeçari nga Mala Reçica, i dyshuar për veprën penale “Terrorizëm”, pas një kërcënimi të publikuar përmes aplikacionit Discord.
Po në shkurt, prokuroria njoftoi edhe për një procedurë hetimore ndaj tre personave nga Shkupi, të dyshuar për “bashkim kriminal”, në një rast të trajtuar nga sektori për luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.
Raste të lidhura me organizata terroriste dhe ideologjinë e ISIS-it janë trajtuar edhe në vitet e mëparshme. Në një aktakuzë të vitit 2021, Prokuroria përshkroi një grup terrorist me bazë ideologjike të ISIS-it dhe aktivitete që përfshinin propagandë, rekrutim, sigurim armësh dhe vëzhgim të lokacioneve.
Për aksionin e sotëm, informacionet mbi armët, flamujt me simbole të ISIS-it dhe pajisjet për kriptovaluta mbeten, deri në konfirmim zyrtar, në nivel raportimesh jozyrtare. Presioni kryesor tani është te njoftimi i MPB-së dhe Prokurorisë për të sqaruar se për çfarë veprash konkretisht dyshohen të arrestuarit. Gazeta Flaka












