VLEN: Korridori 8, investim në zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen evropiane
VLEN vlerëson se fillimi i punimeve në segmentin Bukojçan–Kërçovë përbën një zhvillim të rëndësishëm për përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore të Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë dhe Bullgarinë.
Nisja e punimeve në autostradën Bukojçan–Kërçovë shënon një hap të rëndësishëm në realizimin e Korridorit 8, një projekt që synon të forcojë lidhjet rrugore dhe bashkëpunimin ekonomik të vendit me rajonin, vlerëson koalicioni VLEN.
Sipas VLEN-it, “Korridori 8 është një interes strategjik kombëtar dhe një mundësi e madhe për zhvillimin ekonomik të vendit”.
Nga ky koalicion theksojnë se realizimi i projektit do të përmirësojë lidhjen me Shqipërinë dhe Bullgarinë, do të lehtësojë transportin e mallrave dhe do të krijojë kushte më të favorshme për investime dhe bashkëpunim ekonomik.
“Korridori 8 është një nga projektet që përcaktojnë drejtimin e zhvillimit të vendit. Çdo segment që nis të ndërtohet e afron Maqedoninë e Veriut me një rrjet modern rrugor dhe me një rol më të rëndësishëm në lidhjet tregtare të rajonit”, thuhet në qëndrimin e VLEN-it.
Koalicioni vlerëson se avancimi i Korridorit 8 është pjesë e angazhimit për zhvillim ekonomik, përmirësim të lidhjeve rajonale dhe integrim evropian.
“Synimi është që pozita gjeografike e vendit të shndërrohet në përparësi ekonomike, me infrastrukturë që u shërben qytetarëve, bizneseve dhe gjeneratave të ardhshme”, thekson VLEN-i.
Realizimi i Korridorit 8 mbetet një projekt me rëndësi për lidhjen e Maqedonisë së Veriut me vendet fqinje dhe për zhvillimin e transportit dhe tregtisë rajonale.













