BE u bën thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të shfrytëzojnë mundësinë për anëtarësim
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të shfrytëzojnë momentin aktual për avancimin e procesit të integrimit evropian, duke theksuar se zgjerimi i BE-së është një mundësi reale dhe jo një perspektivë e largët.
Këtë mesazh e përcolli presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, pas samitit me liderët e Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës.
„Ruani ritmin dhe zbatoni reformat që do t’ju çojnë drejt Bashkimit Evropian. Zgjerimi është një mundësi reale dhe duhet shfrytëzuar“, deklaroi Costa.
Ai theksoi se përparimi i Malit të Zi dhe Shqipërisë dëshmon se anëtarësimi në BE nuk është iluzion, por një mundësi konkrete për vendet që angazhohen në përmbushjen e kritereve.
„Këtë vit tashmë ka nisur hartimi i traktatit të anëtarësimit me Malin e Zi, një hap që nuk e kemi ndërmarrë për më shumë se 10 vjet“, tha Costa.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi se pranimi i vendeve të reja është në interes të vetë Bashkimit Evropian.
„Bota përreth nesh po ndryshon me shpejtësi. Sa më e fortë dhe më e bashkuar të jetë Evropa, aq më mirë do të jemi në gjendje të përballemi me sfidat“, deklaroi ajo.
Në kuadër të afrimit të vendeve të rajonit me BE-në, Brukseli planifikon që në fillim të vitit të ardhshëm të nisë dialogun për integrim gradual me secilin prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor.
Von der Leyen njoftoi gjithashtu për një ndihmë financiare shtesë prej gjithsej 338 milionë eurosh për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, e cila pritet të shpërndahet gjatë javëve në vijim.
Serbia jashtë samitit dhe pa mbështetje për deklaratën
Serbia nuk ishte e përfaqësuar në samit. Costa e arsyetoi mungesën e saj me fazën kalimtare nëpër të cilën po kalon aktualisht vendi, pas fitores së lëvizjes studentore në zgjedhjet parlamentare të mbajtura para disa javësh.
Serbia ishte gjithashtu i vetmi vend i rajonit që nuk e mbështeti deklaratën përfundimtare të samitit, të publikuar mbrëmjen e kaluar.
Në dokument theksohet rëndësia e pajtimit dhe e marrëdhënieve të mira fqinjësore, ndërsa glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi historik cilësohen si veprime në kundërshtim me vlerat themelore evropiane.















