Zoran Millosheski: Të rinjtë e njohin hipokrizinë e Mickoskit edhe nga aeroplani
Sa herë që gjendet në vështirësi, të rinjtë janë tema e preferuar e Mickoskit për të larguar vëmendjen nga problemet reale: borxhi i jashtëzakonshëm me miliarda euro, keqpërdorimet e funksionarëve të pushtetit dhe paaftësia për të menaxhuar proceset në shtet.
Kështu vlerëson Zoran Millosheski, i cili në një reagim në Facebook kritikon paralajmërimet e fundit të Qeverisë për mbështetjen e çifteve të reja bashkëshortore.
“Manipulimi i ri i Mickoskit dhe Qeverisë për të njëjtën temë është se çiftet e reja bashkëshortore deri në moshën 35-vjeçare do të lirohen nga pagesa e taksave komunale gjatë ndërtimit të shtëpisë, ndërsa do të mund të blejnë edhe banesa 20 për qind më lirë”, shkruan Millosheski.
Ai kujton deklaratat e pushtetit lidhur me largimin e të rinjve nga vendi dhe mundësinë e importimit të fuqisë punëtore nga jashtë.
“Mickovët ua bënë të qartë të rinjve se çfarë mendojnë për emigrimin e tyre masiv: nëse largoheni, do të importojmë fuqi punëtore nga kushdo dhe kudo. Sikur të thonë: ikni ju, le të vijnë migrantët – për ne është njësoj”, shprehet Millosheski.
Sipas tij, nuk ka arsye për t’u besuar qëllimeve të sinqerta të VMRO-DPMNE-së ndaj të rinjve, duke përmendur si shembull edhe refuzimin e rritjes së shumës së racionit studentor.
“Cili njeri normal do t’u besonte qëllimeve të sinqerta të VMRO-DPMNE-së ndaj të rinjve? A mendojnë se trajtimi johuman ndaj studentëve dhe refuzimi për ta rritur vlerën e racionit studentor mund të kalohet kaq lehtë?”, pyet ai.
Millosheski kritikon edhe emërimin e Vlatko Gjorçevit në pozitën e koordinatorit nacional për demografi, të rinj dhe burime njerëzore, duke pretenduar se paga e tij mujore arrin rreth 2.500 euro.
“Fyerja më e madhe që Mickovët mund t’u bënin të rinjve dhe njerëzve të arsimuar ishte emërimi i atij kuadri partiak, Vlatko Gjorçev, si koordinator nacional për demografi, të rinj dhe burime njerëzore, me pagë mujore prej rreth 2.500 eurosh”, shkruan ai.
Në reagimin e tij, Millosheski e cilëson këtë emërim si paradoks, duke e akuzuar Mickoskin se në krye të një çështjeje kaq të rëndësishme ka vendosur një person që, sipas tij, përfaqëson problemet politike që i shtyjnë të rinjtë të largohen nga Maqedonia.
“Hipokrizinë tuaj, Mickovë, të rinjtë e njohin edhe nga aeroplani!”, përfundon reagimin e tij Zoran Millosheski.















