LSDM kërkon përgjegjësi penale dhe politike për rastin e “Alta Bankës”: Dorëzon interpelancë ndaj Sllaveskit
Lidhur me hyrjen e “Alta Bankës” në Maqedoninë e Veriut, të cilën e cilëson si “lavatriçe të parave të Vuçiqit”, LSDM-ja kërkon përgjegjësi penale dhe politike. Partia njofton se ka dorëzuar interpelancë për punën e guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski.
“LSDM-ja ka dorëzuar interpelancë për punën e guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski. Kërkojmë që Kuvendi, si organ që e zgjedh atë, të konstatojë përgjegjësinë politike për procedurën përmes së cilës ‘Alta Bankës’ nga Beogradi iu dha pëlqimi për fitimin e pjesëmarrjes së kualifikuar në atë kohë në ‘Stopanska Banka’ të Manastirit”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Nga kjo parti pretendojnë se përgjegjës për hapjen e rrugës së “Alta Bankës” në Maqedoninë e Veriut janë kryeministri Hristijan Mickoski dhe guvernatori Trajko Sllaveski.
“E dimë se kush ia hapi derën ‘Alta Bankës’ në Maqedoni, ata janë Mickoski dhe Trajko Sllaveski. Kemi një pranim publik nga Sllaveski se është konsultuar me Mickoskin. Çfarë kanë biseduar Mickoski dhe Sllaveski për ‘Alta Bankën’? Për Davor Macurën? Me çfarë kompetence Mickoski ka dhënë udhëzime, ndërsa Sllaveski i ka dëgjuar?”, pyesin nga LSDM-ja.
Partia opozitare njofton se ka dorëzuar edhe kallëzime penale lidhur me rastin dhe prej dhjetë ditësh i bën thirrje Prokurorisë Publike të ndërhyjë, të hapë hetim dhe të përcaktojë përgjegjësinë penale.
“Është e papranueshme që në Serbi të ketë hetim, procedurë falimentimi, pronari të jetë ndaluar dhe të hetohen 380 milionë euro, ndërsa te ne të mos ketë asgjë. Mosveprimi nënkupton bashkëpërgjegjësi, sepse krijohet hapësirë për shkatërrimin e provave, llogarive dhe transaksioneve”, theksojnë nga LSDM-ja.
Sipas LSDM-së, hetimi duhet të shtrihet edhe te kompania e sigurimeve, për të sqaruar se me çfarë mjetesh financiare Davor Macura e ka blerë atë, nga cila llogari është kryer pagesa dhe kush e ka verifikuar prejardhjen e parave.
“Koha është për të vërtetën, koha është për drejtësi, koha është për përgjegjësi për ‘Alta Bankën’”, përfundon komunikata e LSDM-së.
Flaka















