Lukashenko propozon udhëtim të përbashkët me Zelenskyn në Moskë për negociata paqeje
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko, aleat i afërt i presidentit rus Vladimir Putin, ka propozuar që së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të udhëtojnë në Moskë për negociata që synojnë përfundimin e luftës në Ukrainë.
Lukashenko, i cili lejoi Rusinë të përdorte territorin bjellorus për pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, në një intervistë të publikuar mbrëmë nga gazeta franceze “Le Point”, deklaroi se, sipas vlerësimit të tij, forcat ruse po fitojnë në fushën e betejës.
Putin prej kohësh i propozon Zelenskyt të udhëtojë në Moskë për negociata lidhur me zgjidhjen e konfliktit. Presidenti ukrainas e ka refuzuar këtë mundësi, por njëkohësisht ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me liderin rus në vende të tjera, më neutrale.
“Volodya (Volodymyr) Zelensky dhe unë mund të shkojmë thjesht, të udhëtojmë me aeroplan drejt Moskës. Së bashku. Si garantues i sigurisë së tij, mund të ulem pranë tij dhe të udhëtojmë së bashku drejt Moskës”, deklaroi Lukashenko.
I pyetur nëse Zelensky ka gjasa ta pranojë një propozim të tillë, Lukashenko u përgjigj se, nëse nuk pajtohet, atëherë lufta do të vazhdojë.
“Nëse nuk pranon, le të vazhdojë të luftojë. Le të shkojë në front me automatik dhe të luftojë. Lufta vazhdon. Ajo duhet të ndalet. Dhe ne mund të arrijmë një marrëveshje”, tha presidenti bjellorus.
Lukashenko deklaroi gjithashtu se forcat ruse po përparojnë ngadalë, por, sipas tij, po e fitojnë luftën.
“Presidenti Putin ende po fiton në front. Kështu qëndrojnë gjërat”, theksoi ai.
Ushtria ruse pretendon se forcat e saj po përparojnë përgjatë vijës së frontit, e cila shtrihet në rreth 1.200 kilometra. Përparime raportohen në rajonin lindor të Donjeckut, megjithëse vija e frontit ka mbetur kryesisht e pandryshuar prej muajsh.
Ndërkohë, Zelensky ka kritikuar rolin e Lukashenkos në konflikt. Në qershor, ai paralajmëroi për një përgjigje ukrainase nëse lideri bjellorus nuk largon pajisjet e monitorimit, të cilat, sipas pretendimeve të tij, po ndihmojnë Rusinë në realizimin e sulmeve.
Lukashenko, ndaj të cilit vendet perëndimore prej kohësh kanë ngritur akuza për shkelje të të drejtave të njeriut, që kur erdhi në pushtet në vitin 1994, e vlerësoi si zhvillim pozitiv rifillimin e negociatave ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara, në fillim të këtij muaji.
Ai përshëndeti mundësinë që në raundet e ardhshme të bisedimeve të marrin pjesë edhe negociatorë evropianë, por theksoi se tri shtetet kryesore sllave – Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia – duhet të gjejnë një zgjidhje për problemet në rajon.
“Ne do të arrinim marrëveshje më shpejt se ju (evropianët) për përfundimin e kësaj lufte, marrëveshjet e ardhshme e kështu me radhë”, deklaroi Lukashenko, duke shprehur bindjen se “njerëzit do ta pranonin këtë”.
Flaka















