Musa i kundërpërgjigjet Pashollit: BDI e anashkalonte gjuhën shqipe edhe kur ishte në pushtet
Deputetja dhe nënkryetarja e VLEN-it, Mimoza Musa, i është kundërpërgjigjur kritikave të deputetes së BDI-së, Arban Pasholli, lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe nga zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, gjatë mbledhjes së Këshillit Nacional për Integrime Evropiane.
E ftuar në emisionin “Debat në SHENJA”, Musa tha se kritikat e Pashollit nuk mund të shkëputen nga praktikat e funksionarëve të BDI-së gjatë kohës kur kjo parti ishte në pushtet. Sipas saj, edhe zyrtarë të BDI-së në takime bilaterale kanë zgjedhur të komunikojnë në gjuhën maqedonase, madje edhe në raste kur nuk kanë qenë të pranishëm përfaqësues të palëve të tjera.
Musa vlerësoi se nuk është e drejtë që debati për përdorimin e gjuhës shqipe të përqendrohet vetëm në raste të veçanta, ndërsa të anashkalohen praktikat e mëparshme të funksionarëve të BDI-së.
“Ne jemi vetë dëshmitarë se në takime bilaterale, kur ka pasur funksionarë të BDI-së, kanë zgjedhur që mes vete të komunikojnë në gjuhën maqedonase. Domethënë, ne nuk mundemi për raste specifike të lidhemi dhe të themi se këta po e anashkalojnë gjuhën shqipe. Gjuha shqipe në vazhdimësi është anashkaluar nga funksionarët e BDI-së”, deklaroi Musa.
Ajo shtoi se, sipas saj, ekzistojnë edhe video-incizime që dëshmojnë raste të tilla, kur përfaqësues të BDI-së kanë komunikuar mes vete në gjuhën maqedonase, pa praninë e palëve të tjera.
Deklarata e Musës vjen si kundërpërgjigje ndaj kritikave të Arban Pashollit, e cila kishte vlerësuar se përdorimi fillimisht i gjuhës maqedonase nga Bekim Sali në mbledhjen institucionale përbënte nënvlerësim të gjuhës shqipe.
Gazeta Flaka















