“Nuk do të heshtim!” – Sot protestë në Shkup kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, më 25 nëntor, në Shkup do të mbahet një marsh protestues kundër dhunës ndaj grave, me thirrjen për përgjegjësi institucionale dhe mbrojtje të jetës së tyre.
Protesta organizohet nga iniciativa qytetare joformale “Asnjë më shumë” (Ниту една повеќе) dhe do të fillojë në orën 17:00, në parkun “Gruaja Luftëtare” (Жена Борец), ndërsa do të përfundojë para ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.
“Kur institucionet janë të shurdhra, le t’i detyrojmë të na dëgjojnë! Derisa gratë vriten, denoncimet për dhunë mbeten në sirtarë dhe institucionet nuk veprojnë”, thuhet në thirrjen e organizatorëve.
Iniciativa thekson se protesta është shprehje e zemërimit ndaj mungesës së reagimit institucional dhe ndaj një shoqërie ku gratë vazhdimisht paralajmërohen të kenë kujdes, të mbrohen dhe të jetojnë me frikë.
Organizatorët kundërshtojnë atë që e cilësojnë si reagim të përkohshëm institucional pas çdo rasti të ri të vrasjes së grave, të shoqëruar më pas me heshtje dhe mungesë përgjegjësie.
“Ne nuk do të lejojmë që institucionet të fshihen pas protokolleve, raporteve, procedurave dhe komisioneve. Nuk do të lejojmë që zemërimin tonë ta quani histeri!”, thuhet në komunikatë.
Kërkesat kryesore të protestuesve janë përgjegjësia institucionale, mbrojtja në kohë e viktimave, trajtimi i vazhdueshëm dhe i duhur i rasteve të dhunës, si dhe drejtësia gjyqësore për të gjitha gratë që kanë përjetuar dhunë dhe për ato që kanë humbur jetën.
Në fund të marshit, aktivistet do të realizojnë një aksion performativ, për të cilin secili pjesëmarrës ftohet të marrë me vete një grusht dheu. Sipas organizatorëve, dheu mund të merret nga një kantier ndërtimi, oborri, saksi apo mali.
“Vendi ynë duhet të ketë vetëm një cilësi – të jetë i drejtë!”, theksojnë organizatorët.
Në marsh ftohen të marrin pjesë të gjithë qytetarët, pa dallim, përfshirë familjarë, partnerë dhe miq, në shenjë solidariteti dhe kërkese për mbrojtjen e jetës së grave.
“Ne dalim dhe luftojmë së bashku për jetën e grave! NUK DO TË HESHTIM!”, përfundon thirrja e iniciativës qytetare “Asnjë më shumë”.
Flaka















