Mot me vranësira dhe reshje shiu, në pjesët perëndimore mbi 30 litra për metër katror
Moti sot do të jetë i vranët, me reshje të kohëpaskohshme shiu, të cilat do të jenë më të rrëmbyeshme në pjesët perëndimore të vendit, ku pritet të tejkalojnë 30 litra për metër katror.
Do të fryjë erë mesatare, ndërsa në disa vende herë pas here e përforcuar nga drejtimi jugor. Temperatura e mëngjesit do të lëvizë nga -1 deri në 4 gradë Celsius, ndërsa ajo ditore nga 5 deri në 12 gradë, njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM).
Në Shkup dhe rrethinë moti do të jetë i vranët, me reshje të kohëpaskohshme shiu. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi jugor. Temperatura e mëngjesit do të jetë 0 gradë, ndërsa ajo ditore do të arrijë deri në 8 gradë Celsius.
Sipas DPHM-së, deri të dielën moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje të cilat në disa vende do të jenë më të rrëmbyeshme, mbi 30 litra për metër katror në 24 orë, ndërsa gjatë gjithë kësaj periudhe pritet të tejkalojnë edhe 80 litra për metër katror.
Për shkak të depërtimit të një mase të ftohtë ajrore nga veriu, gjatë fundjavës reshjet në disa nga vendet më të larta do të jenë në formë shiu dhe bore, ndërsa në male do të ketë vetëm reshje bore, ku pritet të krijohet shtresë e re dëbore.
Nga fillimi i javës së ardhshme të punës, moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell. Mëngjeset do të jenë të ftohta, me temperatura që do të zbresin edhe nën zero gradë Celsius, bëjnë të ditur nga DPHM.
Flaka















