Rasti Mihajllova në tryezën e bisedimeve mes ministrave të Shëndetësisë të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë
Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski ka deklaruar se largimi i Iva Mihajllovës drejt Bullgarisë mund të lidhet me ardhjen e paralajmëruar të një ekipi mjekësor bullgar në vend, i cili duhej që, së bashku me mjekët e vendit të verifikonte pretendimet e saj lidhur me gjendjen shëndetësore. Klekovski bëri të ditur se gjatë ditëve në vijim do të udhëtojë drejt Sofjes, ku siç tha ai do të bisedojë me ministren e Shëndetësisë për rastin e Mihajllovës.
“Konsideroj se pikërisht për shkak të paralajmërimit se në Maqedoni do të vinte një konsilium mjekësh nga Bullgaria për të shqyrtuar gjendjen shëndetësore dhe trajtimin e Mihajllovës, ndodhi largimi i saj, sepse konsiliumi bullgar vetëm do t’i konfirmonte konstatimet e mjekëve tanë se, në thelb, këtu nuk ka një rast shëndetësor“.
Iva Mihajllova akuzohet për aksident trafiku vitin e kaluar në tetor ku humbi jetën një person dhe u lënduan disa të tjerë. Pas shfaqjes së saj në Bullgari reagimet në vend ishin të shumta. Partitë politike kanë kërkuar përgjegjësi dhe dorëheqje nga Toshkovski sepse Mihajllova nuk kishte të drejtë ta lëshojë vendin.
Nga MPB e vendit pas rastit patën deklaruar se në regjistrin kufitar nuk figuron dalje e Mihajlloves ndërkaq edhe nga MPJ e Bullgarisë thanë se nuk është regjistruar hyrje e Mihajllovës në Bullgari.
Ministria e Punëve të Brendshme ditën e djeshme ka shpallur fletarrest qëndror dhe ndërkombëtar për 23-vjeçaren Iva Mihajllova me kërkesë të Gjykatës Themelore në Koçan, për shkak të veprave penale që lidhen me aksidentin e trafikut me pasoja fatale, për të cilin zhvillohet procedurë gjyqësore.












