Vazhdon gjykimi për tragjedinë në Koçan, mbrojtja ka paralajmëruar 240 dëshmitarë
Me paraqitjen e provave nga mbrojtja, e cila ka paralajmëruar 240 dëshmitarë, sot në sallën e gjyqit në burgun „Idrizovë“, pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup, vazhdon procesi gjyqësor për zjarrin në diskotekën „Puls“ në Koçan.
Në seancën e kaluar, Prokuroria Publike paraqiti vërejtje serioze ndaj tri ekspertizave, si dhe gjatë marrjes në pyetje të drejtpërdrejtë dhe të kryqëzuar të ekspertit të ndërtimtarisë Petre Ruseski. Ai ka përgatitur ekspertizën për ndërtimtari për të akuzuarin e parë Dejan Jovanov dhe dy të akuzuar të tjerë.
Prokuroria vlerësoi se Ruseski nuk i plotëson kushtet ligjore dhe profesionale, si dhe standardet metodologjike të nevojshme që një ekspertizë të konsiderohet mjet objektiv dhe i besueshëm provues.
Nga ana tjetër, mbrojtja e të akuzuarës Milka Edrovska, inxhiniere në kompaninë „Venci Projekt“, dokumentacionin e së cilës i akuzuari i parë Dejan Jovanov e kishte përdorur për vendime dhe licenca, përmes dëshmisë së këshilltarit teknik Osmanli Jorgo ngriti çështjen e vlefshmërisë juridike të „projektit kryesor“ të vitit 2012.
Sipas mbrojtjes, bëhet fjalë për dokumentacion të pjesshëm, i cili nuk i ishte nënshtruar revizionit dhe nuk kishte pasur rol kyç në marrjen e licencave.
Këshilltari teknik Osmanli Jorgo, i cili kishte përgatitur konstatimin dhe mendimin profesional me kërkesë të Edrovskës, deklaroi para gjykatës se dokumenti i hartuar në vitin 2012 nga Edrovska përmes kompanisë „Venci Projekt“, me titull „Projekt kryesor“, përbën vetëm dokumentacion të pjesshëm dhe jo të plotë projektues.
Sipas tij, dokumentacionit i mungojnë të gjitha fazat e parapara me Ligjin për Ndërtim. Ai gjithashtu deklaroi se rregullimi i brendshëm dhe organizimi i objektit ishin realizuar para hartimit të dokumentit nga Milka Edrovska.
Prindërit e viktimave të zjarrit reaguan në deklaratat e tyre për mediat ndaj dëshmisë së ekspertit të „Venci Projekt“, i cili pretendoi se dokumentacioni projektues ishte përgatitur para rindërtimit të diskotekës „Puls“.
Procesin gjyqësor e udhëheq gjykatësja Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
Procesi gjyqësor nisi më 19 nëntor 2025, tetë muaj pas zjarrit tragjik të 16 marsit 2025, i cili shpërtheu gjatë performancës së grupit muzikor DNK në diskotekën „Puls“. Në këtë tragjedi humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën. Gazeta Flaka











