Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria në listën e Egjiptit për organizatat terroriste – përfshihet edhe një shoqatë islame nga Maqedonia
Një organizatë islame nga Maqedonia është përfshirë në listën e organizatave që Gjykata Penale e Egjiptit në Kajro i ka shpallur organizata terroriste. Vendimi, i publikuar dje në Gazetën Zyrtare të Egjiptit, përfshin gjithsej 35 organizata dhe 36 persona nga disa shtete evropiane, të cilët do të regjistrohen në listat kombëtare të organizatave dhe personave të shpallur terroristë për një periudhë pesëvjeçare.

Në mesin e subjekteve të përfshira në vendim figurojnë shoqata dhe institucione islame nga Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Zvicra, Suedia, Italia dhe vende të tjera evropiane.
Në listë është edhe një organizatë nga Maqedonia, e regjistruar me emrin arab „Tadzhama al-Shabab al-Islami“, që në përkthim nënkupton „Shoqata Islamike Rinore“.
Megjithatë, deri më tani nuk ka informacione të mjaftueshme publike për të përcaktuar se për cilën organizatë konkrete në Maqedoni bëhet fjalë. Emërtimi arab i publikuar në listën egjiptiane ngjason me emrin e shoqatës „Forumi Rinor Islamik – Shkup“, e regjistruar në Maqedoni, por nuk ka konfirmim se bëhet fjalë për të njëjtin subjekt, shkruan portali „Religija“.
Në mesin e organizatave të tjera të përfshira në vendimin e gjykatës egjiptiane janë Këshilli i Myslimanëve në Evropë, Asociacioni Islamik në Britaninë e Madhe, Liga e Myslimanëve në Zvicër, Bashkësia Islame në Gjermani, Këshilli Evropian për Fetva dhe Hulumtime, Këshilli Evropian i Imamëve dhe Instituti Evropian për Shkenca Humane.
Ajo që mbetet e paqartë është identiteti i saktë i organizatës nga Maqedonia dhe baza konkrete mbi të cilën është përfshirë në këtë listë. Në informacionet e publikuara deri më tani nuk ka arsyetim të veçantë për këtë subjekt, nuk janë paraqitur prova konkrete për ndonjë lidhje të pretenduar me aktivitete terroriste dhe as nuk janë bërë të ditura arsyet specifike të përfshirjes së tij në vendim.
Prandaj, deri në një konfirmim zyrtar të identitetit dhe sqarimin e bazës së vendimit, nuk mund të thuhet se organizata „Forumi Rinor Islamik – Shkup“ është subjekti i përfshirë në listën egjiptiane. Gazeta Flaka











