Mickoski paralajmëron dimër të vështirë: Bota po përjeton një “Luftë të Tretë Botërore të qetë”
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, paralajmëron se muajt e ardhshëm do të sjellin sfida serioze për Evropën dhe vendin, në një kohë kur krizat globale po krijojnë pasiguri në shumë fusha.
Duke folur për situatën ndërkombëtare, Mickoski vlerësoi se bota po kalon një periudhë të tensionuar, të cilën e përshkroi si një “Luftë të Tretë Botërore të qetë”.
Ai pranoi se dimri do të jetë i vështirë për Maqedoninë e Veriut, por siguroi se Qeveria po punon për të shmangur pasojat e krizave ndërkombëtare dhe për të garantuar kushte normale për qytetarët.
“Do të jetë një dimër i vështirë në të gjithë Evropën, një dimër i vështirë edhe për Maqedoninë, por e rëndësishme është që po punojmë për t’u siguruar që qytetarët ta kalojnë këtë dimër në kushte normale, pavarësisht sfidave në botë”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri theksoi gjithashtu se Maqedonia është pjesë e tryezave ku diskutohen sfidat globale dhe se, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, po kërkohen strategji për përballimin e situatës dhe përmirësimin e standardit të jetesës.
Megjithatë, paralajmërimi për një dimër të vështirë vjen në një moment kur qytetarët presin përgjigje konkrete për përballimin e kostove të jetesës, çmimeve dhe pasigurive ekonomike që mund të sjellin zhvillimet globale.
Flaka Media















